Segmenti i rrugës së Arbrit, midis dy lagjeve të qytetit të Bulqizës, vazhdon të paraqesë sfida për të gjithë ata që qarkullojnë në këtë zonë. Problematika nuk shfaqet vetëm gjatë reshjeve të shiut, por edhe gjatë periudhës së reshjeve dëbore, ku rruga pësohet nga përmbytjet e ujit. Nga pamjet duket se mbi gjysmën e rrugës nën urën që lidh dy lagjet e qytetit ka një përmbytje uji.
Banorët shprehen se shumica e këtij uji vjen nga lagja e re dhe shkak është dëmtimi i rrjetit ujor nga punimet e kryera në këtë lagje. Këto ujëra të zeza bashkohen me ujërat e dëborës, e cila ka filluar të shkrihet në zonë. Kjo situatë ka bërë që qarkullimi i mjeteve të vështirësohet, duke detyruar shoferët të gjejnë mënyra për të shmangur pellgun e ujërave dhe për të evituar rrezikun e aksidenteve me automjetet e tjera.
Ky problem nuk është i ri për lagjen e re të Bulqizës, pasi ujërat e zeza kanë shkaktuar sfida jo vetëm për mjedisin, por tashmë edhe për mjetet e transportit që përdorin rrugën e Arbrit për të udhëtuar drejt Peshkopisë apo Tiranës.