Dhoma e Deputetëve në Italinë fqinje ka miratuar së fundmi projektligjin e ratifikimit të marrëveshjes Itali-Shqipëri, në të cilën parashikohet hapja e dy kampeve të refugjatëve në territorin shqiptar, për të pritur 3000 emigrantë afganë.
Mediat italiane shkruajnë se brenda kësaj mbledhjeje ligjvënësit ishin të ndarë, ndërsa pro marrëveshjes votuan 155, ndërsa 115 ishin kundër dhe dy abstenime.
Pas votimit, shumica e mirëpriti vendimin me duartrokitje. Sakaq, projektligji në fjalë tani kalon në Senat për t’u miratuar. Kujtojmë se kjo marrëveshje u firmos në fillim të muajit nëntor, në Romë nga kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ndërsa u bë publike disa ditë më vonë.
Rama u angazhua që të vendosë në dispozicion të qeverisë italiane territorin e vet për të ngritur kampe të ngjashme dhe të presë mijëra emigrantë nga vendet e treta për të paktën një periudhë 5-vjeçare.
Por kjo marrëveshje, u kritikua nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe u krahasua me planin e Qeverisë britanike për dërgimin e azilkërkuesve në Ruandë, plan që u vlerësua i jashtëligjshëm nga Gjykata Supreme britanike.