Ashtu siç u bë e ditur edhe më parë, ministri i Jashtëm, Igli Hasani u takua me homologen e tij nga Kosova, Donika Gërvalla, në Kosovë.
Dy ministrat zhvilluan një konferencë të përbashkët për mediat, ku zbuluan se çfarë ishte disktutuar mes tyre.
Gërvalla u shpreh se bashkë me Hasanin folën për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, ku sipas Shqipëria do të luajë rol proaktiv në të gjithë çështjet e sigurisë me pozitat që ka në arenën ndërkombëtare.
Ajo shtoi se për destabilizimin e Kosovës, tenativa do të ketë edhe këtë vit nga krimi i organizuar dhe strukturat nga Serbia.
Gjithashtu u mësua se dy homologët kishin diskutuar edhe lidhur me zhvillimin e çështjes së votës së diasporës.
“Për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë bashkësia ndërkombëtare duhet të ndëshkojë tentativat për destabilizim. E falënderova kolegun Hasani për pjesëmarrjen në varrimin e heroit të fundit Afrim Bunjaku. Sulmi i natës së fundit ka dëshmuar se në veri çështja e sigurisë është serioze. Duhet të jemi vigjilentë pasi krimi i organizuar me strukturat e ardhura nga Serbia do vijojnë destabilizimin e vendit tonë edhe në vitin 2024.
Me pozicionin e saj gjithnjë e më të fuqishëm në arenën ndërkombëtare, republika e Shqipërisë do luajë rol proaktiv në të gjithë çështjet e sigurisë tonë. U pajtuam për një organizim më gjithëpërfshirës për ruajtjen e kulturës dhe identitetit tonë në mërgim.
Me ministrin Hasani kam ndarë eksperiencën e Kosovës për realizimin e zgjedhjeve jashtë shtetit që emigrantët tanë të bëhen pjesë e proceseve politike në vend”, u shpreh Gërvalla mes të tjerash.