Gjykata e Lartë nuk ka pranuar rekursin e avokatëve për të hequr sekuestron mbi kompaninë “Integrated Energy B.V SPV”, e cila drejton inceneratorin e Tiranës.
Kështu që për momentin mbetet në fuqi vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit, duke mbetur nën sekuestro ky incenerator.
SPAK nisi hetimet për këtë rast, pasi ishin shpenzuar gati 100 milionë euro nga buxheti i shtetit, për krijimin e tij, por që pas 6 vitesh inceneratori nuk u ndërtua.
Pavarësisht dëmeve, akuzat u kufizuan te shpërdorimi i detyrës për ish-ministrin Lefter Koka dhe 11 zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Bashkisë së Tiranës, Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve, ATRAKO.
Ish-deputeti Alqi Bllako akuzohet për korrupsion, ndërsa Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto për veprat penale të mashtrimit me pasoja të rënda dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme për aferën e inceneratorit të Tiranës zgjatën tre vjet dhe identifikuan shtatë shkelje të mëdha ligjore në procedurat e dhënies së bonusit nga Këshilli i Ministrave.