Ish-presidenti Donald Trump apeloi të martën një vendim të sekretares demokrate të shtetit Maine, që e përjashton atë nga fleta e votimit lidhur me rolin e tij në trazirat në ndërtesën e Kongresit amerikan më 6 janar të vitit 2021.
Zoti Trump pritet që të kërkojë gjithashtu nga Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara që të marrë një vendim lidhur me çështjen e ngritur në Kolorado që e skualifikon atë nga pjesëmarrja në fletën e votimit.
Demokratja Shenna Bellows, është sekretarja e parë në historinë e shtetit Maine që e ndalon kandidaturën e një kandidati për president në bazë të një klauzole të Amendamentit të 14 të Kushtetutës që është përdorur rrallë herë. Dispozita ligjore ndalon që një individ i përfshirë në kryengritje të mbajë një post publik.
Apelimi i zotit Trump në Gjykatën e Lartë të shtetit Maine deklaron se sekretarja Bellows nuk kishte juridiksion për këtë çështje dhe kërkon që asaj t’i kërkohet që të vendosë emrin e zotit Trump në fletën e votimit për zgjedhjet paraprake të 5 marsit. Kërkesa argumenton se ajo i tejkaloi kompetencat dhe u bazua në ‘fakte të pabesueshme’.
“Sekretarja duhet të tërhiqej për shkak të njëanshmërisë së saj kundër Presidentit Trump, siç tregon e kaluara e saj e dokumentuar në deklaratat e mëparshme që paragjykon çështjen në fjalë”, thanë avokatët e zotit Trump.
Sekretarja Bellows tha për agjencinë e lajmeve Associated Press të martën se vendimi i saj ishte i ngirë në pritje të vendimit pas apelimit
“Kjo është pjesë e procesit. Unë kam besim tek vendimi im dhe zbatimi i ligjit. Ky është procesi i shtetit Maine dhe është shumë e rëndësishme që para së gjithash, secili prej nesh që shërben në qeveri të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e shtetit”, tha ajo.
Të martën zoti Trump pritej që të apelonte në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara edhe një vendim të ngjashëm nga Gjykata e Lartë e Kolorados.
Gjykata më e lartë e Shteteve të Bashkuara asnjëherë nuk ka dalë me një vendim lidhur me klauzolën në fjalë. Vendimi 4 me 3 i Gjykatës së Lartë të Kolorados shënon herën e parë në histori që citon dispozitën ligjore për të përjashtuar një kandidat nga fleta e votimin presidencial.
Kundërshtarët e zotit Trump kanë ngritur dhjetëra padi në shumë shtete duke kërkuar që ta skualifikojnë atë nga votimi.
Asnjë padi nuk pati sukses derisa një shumicë e vogël nga shtatë gjyqtarëve të Kolorados, të gjithë të emëruar nga guvernatorë demokratë, vendosën kundër zotit Trump.
Kritikët thonë se vendimi 4-3 i kishte tejkaluar kompetencat dhe se gjykata nuk mund të deklaronte se trazirat e 6 janarit ishin kryengritje pa një proces të gjerë gjyqësor.
Një javë pas vendimit të Gjykatë së Lartë të Kolorados, zonja Bellows mori vendimin e saj. Kritikët thonë se vendimi ishte edhe më i rrezikshëm sepse mund të hapte rrugën për zyrtarët partiakë zgjedhorë që thjesht të skualifikonin kandidatët që kundërshtojnë.
Zonja Bellows e ka kritikuar më parë qëndrimin e zotit Trump lidhur me ngjarjet e 6 janarit. Zonja Bellows, e cila ka thënë se pikëpamjet e saj personale nuk kishin asnjë lidhje me vendimin, është zyrtarja e parë e lartë zgjedhore që mori vendimin për të përjashtuar zotin Trump nga fleta e votimit./VOA