Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dorëzoi sot në Kryeministri projektin përfundimtar të Amnistisë Penale, pas rekomandimeve të kërkuara nga SPAK, KLGJ dhe Prokuroria e Përgjithshme.
Në versionin përfundimtar të dorëzuar nga ministri preken vendimet deri në datën 30.11.2023, duke e rritur numrin e përfituesve në rreth 620 të dënuar.
“Kemi reflektuar rekomandimet e kërkuara nga SPAK, KLGJ dhe Prokuroria e Përgjithshme, duke e bërë një amnisti dhe më të plotë, nga e cila do të përfitojnë 620 të dënuar” – theksoi Manja.
Sipas këtij pr/ligji përjashtohen nga vuajtja e dënimit personat meshkuj, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdolloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30.11.2023, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
Gjitashtu përjashtohen nga vuajta e dënmit personat femra, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 4 vjet ose çdolloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30.11.2023, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
Kjo amnisti ndihmon edhe personat meshkuj që janë baraz ose mbi moshën 60 dhe perona femra që janë baraz ose mbi moshën 50 vjeç. Ky projektligj do ndihmojë edhe personat baraz ose nën moshën 18 vjec, që kanë kryer vepra penale.
Ata që nuk përfitojnë nga ky nen janë personat të cilët i janë shmangur ndjekjes penale, pavarësisht moshës.