Lufta politike në vendin tonë është mjaft e fortë, për të cilën përdoren të gjitha instrumentat e pushtetit. Sidomos kur bëhet fjalë për rivalë politikë, inate apo prishje interesash, në këto raste mund të përdoren edhe pushtetet e tjera si gjyqësori apo media.
Ditën e sotme u publikua nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj raporti që kishte bërë firma e njohur ligjore amerikane, Nixon Peabody, për hetimet që po kryen SPAK ndaj Ahmetajt.
Raporti i kësaj firme arrin në konkluzionin se Arben Ahmetaj është shënjestruar politikisht, duke qenë se prej kohësh nuk ishte më aleat i kryeministrit Rama.
Nixon Peabody thekson se Ahmetaj nuk kishte kurrë mundësi që të çonte përpara kontratat e inceneratorëve dhe se SPAK nuk ia ka dalë të këtë provat e mjaftueshme për të përcaktuar më pas një vepër penale për të.
“Bazuar në analizën tonë, në lidhje me përvojën tonë të mëparshme në hetimin, ndjekjen penale dhe mbrojtjen e rasteve të korrupsionit publik, ne konstatojmë se rasti i SPAK, siç parashtrohet në raportin e SPAK, është i pambështetur nga provat. SPAK ka dështuar plotësisht të përcaktojë asnjë nga elementët kryesorë të një vepre penale të korrupsionit publik, përkatësisht një veprim apo mosveprim zyrtar dhe një përfitim të dhënë në këmbim.
Më tej, SPAK dështon në mënyrë totale të kuptojë se zoti Ahmetaj nuk ishte kurrë në gjendje të çonte përpara materialisht kontratat për inceneratorët, dhe në fakt e refuzoi disa herë propozimin për kontratën e djegësit të Tiranës.
SPAK gjithashtu tenton të krijojë një lidhje mes zotit Ahmetaj dhe keqbërësve të tjerë të dyshuar në këtë çështje- ndaj të cilëve janë paraqitur prova domethënëse të llojit që mungojnë në rastin e zotit Ahmetaj- përmes një labirinti të ngatërruar personazh dhe subjektesh pa lidhje”, thuhet në një pjesë të raportit të publikuar nga firma ligjore amerikane.