Kriza politike që ka pushtuar vendin sipas presidentit, Ilir Meta është duke dhënë ndikimin e saj edhe në ekonomi.
Nga Skrapari, Meta ka komentuar situatën në të cilën është duke kaluar vendi dhe njëkohëisht iu ka bërë thirrje palëve të kthjellohen.
Përmes një statusi në rrjetin e tij social, Facebook, kreu i shteti ka bërë thirrje për reflektim në mënyrë që pasojat mos të jenë edhe më të rënda, pasi efektet e para që janë vënë re, janë pikërisht në fushën e turizmit.
“Me urimin për një sezon të mbarë e të suksesshëm turistik, jam i bindur se Skrapari, falë atraksioneve të jashtëzakonshme që ofron, mikpritjen, traditat e kulinarinë e veçantë, shumë shpejt do të jetë një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në të gjithë rajonin!
Por për fat të keq, kriza politike ku ndodhet vendi, po sjell pasoja tepër të rënda edhe në ekonomi. Efektet e para kanë filluar të ndihen në turizëm dhe operatorët e cilësojnë situatën dramatike.
Edhe për këtë arsye ia vlen të reflektohet urgjentisht, përndryshe do të goditet rëndë turizmi dhe gjithë familjet shqiptare që mbështesin mirëqenien e tyre në këtë sektor kyç të ekonomisë tonë.”-ka thënë presidenti Meta.