Seanca në Apelin e Posaçëm për Berishën dhe Malltezin, u drejtua nga gjykatësja, Iliriana Olldashi, e cila ndryshoi masën e sigurisë për Jamarbër Malltezin nga arrest me burg në arrest shtëpie.
Ky vendim merret për herë të parë në GJKKO, pasi më parë nuk ka ndodhur që të ndryshohet masa e sigurisë nga arrest me burg në arrest në shtëpi.
Iliriana Olldashi duket se merr vendime ekstreme nga një rast në tjetrin. Ajo ka qenë pjesë e gjyqit për deputetin Alqi Bllako, që u lirua nga burgu por gjyqtarja, Iliriana Olldashi, vendosi ta rikthejë sërish në qeli.
Pak kohë më parë ajo ishte në qendër të një skandali që u publikua nga emisioni investigativ “Stop”, të cilët e akuzuan atë për shantazh dhe presion ndaj gazetarëve të cilët denoncojnë skandalet qeveritare dhe personave të lidhur me pushtetin.
Karriera dhe pasuria e deklaruar e gjyqtares, Iliriana Olldashi
Iliriana Olldashi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 si gjyqtare në Gjykatën e Fierit, ndërsa në vitin 2005 është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë.
Nga 2020-ta e deri më tani, Iliriana Olldashi mban pozicionin e gjyqtares në Gjykatën e Posaçme te Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Sipas deklarimeve pasurore të cilat iu referohen të dhënave të Vetingut, të cilin Olldashi e kaloi me sukses në vitin 2019, gjyqtarja ka një kredi prej 5 milion lekësh me afat 25 vjet dhe interes 3%.
Deri në vitin 2014 gjyqtarja rezulton se ka shlyer 3 742 520 lekë për këtë kredi. Ndërsa gjendja e pasurisë cash në atë vit ka qenë 600.000 lekë. Të ardhurat e saj nga paga si gjyqtare në vitin 2014 kanë qenë 1.580.145 lekë.