Ekonomia shqiptare pritet të ngadalësohet në 2023 dhe 2024 në raport me 2022-n, sipas raportit të fundit të Komisionit Europian, i ndikuar nga ngadalësimi i konsumit privat si rrjedhojë e çmimeve të larta, frenimit të punësimit dhe efektit negativ që po jep në konkurrueshmërinë e eksporteve forcimi i lekut.
Edhe investimet privat priten në rënie si rrjedhojë e shtrëngimit të kushteve të financimit po ashtu dhe ato publike, pasi do të kërkohen më shumë fonde për politikën e rritjes së pagave. Sektori që pritet të ketë ecurinë më të mirë është ai i turizmit, i ndikuar nga oferta e lirë e Shqipërisë dhe përmirësimi i infrastrukturës dhe alternativave turistike.
Sipas raportit të vjeshtës së Komisionit Europian, pas zgjerimit të fortë në vitin 2022, që arriti në 4.8%, rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të zbutet në 3.5% në 2023 dhe 3.1% në 2024 pasi konsumi privat parashikohet të ngadalësohet për shkak të çmimeve të larta të ushqimeve dhe ecurisë më të dobët të punësimit.
Ndërkohë, rritja e investimeve do të dobësohet si përgjigje ndaj shtrëngimit të kushteve të financimit dhe uljes së investimeve publike. Gjithashtu, eksportet e mallrave parashikohen të dobësohen, pjesërisht për shkak të humbjes së konkurrencës së çmimeve nga mbiçmimi i monedhës vendase, ndërkohë që eksportet e shërbimeve nga turizmi pritet të mbeten të forta.
Ripërshpejtimi i konsumit dhe investimeve private pritet të rrisë rritjen ekonomike në 3.7% në vitin 2025. Reduktimi i borxhit publik parashikohet të vazhdojë, megjithëse me një ritëm më të ngadaltë se në vitet e mëparshme.
Rritja ekonomike pritet të ngadalësohet në 2023 dhe 2024
PBB-ja reale u rrit me 3.2% në terma vjetorë në tremujorin e dytë të vitit 2023, nga 2.8% në tremujorin e mëparshëm, si rrjedhojë e investimeve të forta private dhe konsumit, ndërkohë që eksportet neto kontribuuan negativisht në rritjen e PBB-së pavarësisht nga turizmi i fortë. Rritja pritet të ngadalësohet nga 4.8%. në 2022 në 3.5% në 2023, duke reflektuar efektet bazë dhe ngadalësimin e konsumit privat si rrjedhojë e çmimeve ende të larta të ushqimeve, edhe pse vendi vazhdon të përfitojë nga rritja e punësimit dhe rritja e pagave reale.
Investimet pritet gjithashtu të ngadalësohen për shkak të kushteve më të shtrënguara të financimit për kreditë e biznesit ndërkohë që investimet publike pritet të reduktohen për të krijuar hapësirë për rritjen e pagave në sektorin publik. Pavarësisht se sezoni turistik i shtyu eksportet e shërbimeve në një kulm të ri, eksportet neto parashikohen të ndikojnë negativisht në PBB, kryesisht për shkak të rënies së eksporteve të mallrave, të cilat ndikohen nga mbiçmimi i fortë i monedhës dhe rënies së kërkesës së jashtme për materiale ndërtimi.
Rritja e importeve të mallrave gjithashtu pritet të bjerë ndjeshëm duke reflektuar efektet bazë, ngadalësimin e kërkesës së brendshme dhe rritjen e inventarit të vitit të kaluar. Gjithsesi rritja e importeve të shërbimeve pritet të mbetet e fortë. Besimi i biznesit u përmirësua vazhdimisht në të gjithë sektorët që nga fundi i vitit 2022, por në mesin e vitit 2023 besimi në sektorët e shërbimeve dhe të ndërtimit filloi të bjerë.
Këta faktorë parashikohet të vazhdojnë të ndikojnë në kërkesën e brendshme në vitin 2024 dhe të ngadalësojnë rritjen e PBB-së më tej në 3.1%.
Ngadalësimi i rritjes së punësimit pritet të rëndojë mbi konsumin privat, ndërsa rritja e investimeve parashikohet të ngadalësohet më tej, në 3.3%, në përgjigje të dobësimit të kërkesës së jashtme dhe rritjes së kostove të inputeve, pavarësisht mbështetjes nga flukset hyrëse të IHD-ve dhe disa projekteve infrastrukturore në vazhdim.
Rritja e eksportit të mallrave parashikohet të përmirësohet lehtë pasi efekti i mbiçmimit të monedhës do të zbutet, por gjithsesi pritet të mbetet i dobët në vitin 2024 duke pasur parasysh perspektivën për partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë.
Megjithatë, eksportet e shërbimeve pritet të mbeten kryesisht të paprekura nga ngadalësimi i performancës ekonomike të partnerëve tregtarë, pasi turizmi në Shqipëri mbetet relativisht me kosto të lirë dhe zgjerimi i ofertës turistike dhe infrastrukturës po e bën atë më tërheqës. Kontributi negativ i rritjes së eksporteve neto parashikohet të ulet në vitin 2024./ Monitor