Dializa, një shpërbim jetik për për personat që kanë probleme me veshkat, iu dha privatit me koncesion në vitin 2015. Në auditimin e bërë nga KLSH janë faktuar disa shkelje në ofrimin e këtij shërbimi. Kompania koncesionare për shërbimin e dializës është “Dia Vita”, pas së cilës fshihet Spitali Amerikan, bën me dije Pamfleti. Por KLSH në një auditimin që ka bërë, ka zbuluar se deri një vit më parë, ndaj koncesionarit nuk është bërë asnjë kontroll se si e ka zbatuar kontratën. KLSH ka konstatuar gjithashtu se kemi të njëjtin skandal si me Check Up, për këtë shërbim që e ofron privati, përdoren mjekët e spitaleve publike.
“Nuk ka patur monitorim të vazhdueshëm nga institucionet përgjegjëse (MSHMS dhe FSDKSH) për zbatimin e kontratës së koncesionit dhe kontratave të tjera të lidhura ndërmjet institucioneve në varësi të FSDKSH për ofrimin e shërbimit të Hemodializës. Sipas programit kombëtarë mbi parandalimin, zbulimin e hershëm dhe mjekimin e sëmundjeve kronike të veshkave në Shqipëri, i hartuar nga qendra spitalore universitare “Nënë Tereza”, shërbimi, nefrologji-dialize-transplant, duhet të kryet monitorim vjetorë për protokollin e ndjekur të hemodializës, FSDKSH duhet të ketë në përbërje një mjek nefrolog në grupet e kontrollit. Faktikisht monitorimi që kryen FSDKSH nëpërmjet drejtorive rajonale për qendrat e HD bëhet vetëm për elementet financiare të numrit të seancave. Gjithashtu edhe MSHMS nuk e ka monitoruar në mënyrë periodike sipas kërkesave të kontratës koncensionare shërbimin e kryer nëpër spitalet publike”, shkruhet në raportin e KLSH.
Sipas raportit, MSHMS në rolin e autoritetit kontraktor, monitorimin e shërbimit të dializës të ofruar nëpërmjet PPP e ka filluar në vitin 2022, pra rreth 7 vite nga fillimi i ofrimit të shërbimit nga koncensionari.
“Grupi i auditimit gjatë fazës së terrenit u shoqërua nga DRF në disa vizita në qendrat e dializës në Elbasan, Berat, Fier, Lezhë, Shkodër, Korçë, Vlorë ku konstatoi se përgjithësisht, mjekët nefrolog të cilët mbulonin shërbimin për qendrat e dializës ishin të njëjtët që shërbenin në spitalet publike. MSHMS nuk ju përgjigj pyetjes se “Cilat kanë qenë arsyet që nuk është ngritur grup pune dhe nuk është monitoruar periodikisht shërbimi i hemodializës i ofruar nëpërmjet kontratës koncesionare?”, thekson KLSH.