“Aeroportet janë fabrika buke”, kjo ishte fjalia që shoqëroi premtimet e qeverisë në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021.
Më 5 mars 2021 kryeministri Edi Rama në ceremoninë e shpalljes së fituesit për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, premtoi se menjëherë pas nisjes së punimeve për këtë projekt, do të ri-fillonin procedurat për tenderin ndërkombëtar për aeroportin e Sarandës.
Aeroportet kalë fushate për socialistët
“Do shkurtojmë rrugën më Athinën duke ndërtuar aeroportin. Aeroporti i Sarandës që është premtuar, po ju them se kemi filluar punën dhe do të fillojmë ndërtimin e tij brenda mandatit të ri, këtu aeroporti do të ketë nisur nga puna në një kantier real”, tha më 22 qershor 2019 Rama.
Ky premtim u harrua, pasi fushata e vitit 2021 kërkonte projekte të tjera. Ende pa u finalizuar procedurat për nisjen e punimeve, madje ende nuk ishte plotësisht funksional aeroporti i Kukësit, por kryeministri Edi Rama në fushatën e 2021, fliste gjithë kohës për katër aeroporte.
Më 15 prill të vitit 2021 Rama premtoi se brenda mandatit të tretë do ta bëjë vendin me 4 aeroporte. “Në përfundim të mandatit të tretë Shqipëria do të ketë 4 aeroporte, atë të Vlorës, Sarandës, Kukësit dhe Tiranës”, shprehej Rama aso kohe kur kërkonte një mandat të tretë.
Por teksa kanë kaluar vite nga premtimet, ndërkohë që qeveria po përfundon 50% të këtij mandati, ende asgjë nuk duket në horizont për këtë projekt, madje duket sikur është harruar.
Teksa kryeministri nuk kujtohet të thotë asnjë fjalë për premtimin e pambajtur, ministrja e Infrastrukurës Belinda Balluku, në qershor të këtij viti, u shpreh se Shqipëria me 4 aeroporte është e tashmja, edhe pse ende nuk dihet se kur do të fillojnë punimet për këtë projekt.
“Duhet thënë që ajo që dukej një e ardhme e largët për Shqipërinë, ajo ditë që ne do kishim 3 aeroporte ndërkombëtare dhe një të katërt ndërkombëtar, por sezonal në zonën e Sarandës, praktikisht është dita e sotme nuk është e ardhmja”, tha Balluku më 8 qershor 2023.
Kalvari i një tenderi të dështuar
Tenderi për këtë projekt u hap më 2 gusht 2021, dhe kompanive ju dha mundësia që të paraqisnin ofertat e tyre deri në 23 shtator. Por kjo garë dështoi.
Aeroportit i Sarandës, nëse do të kishte nisur puna për ta ndërtuar do të ishte aeroporti i katërt në vend pas atij të Rinasit, Kukësit dhe aeroportit të Vlorës, për të cilin punimet kanë nisur.
Mirëpo gara e hapur me optimizëm të madh dështoi. Më 25 tetor 2021, u njoftua se gara ishte anuluar pasi nuk pati asnjë ofertë të bërë brenda afateve kohore të dorëzimit të ofertave, çka do të thotë se nuk ka patur investitorë të interesuar.
“Bazuar në Ligjin nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat” i ndryshuar, nenin 98 të Ligjit nr. 162 datë 23.12.2020 “Për prokurimin publik”, VKM nr. 575 datë 10.7.2013 “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat”, dhe në pikën 5 “Hapja dhe Vlerësimi i Ofertave” në “Dokumentet e procedurës konkurruese të koncesionit/partneritetit publik privat për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e Aeroportit të Sarandës (SIA)”, për arsye se në këtë procedure konkurruese nuk është dorëzuar asnjë ofertë brenda afateve kohore, pra nuk ka patur pjesëmarrës në garë”, thuhej në njoftimin që bëri Agjencia e Prokurimeve Publike.
Tenderi që u hap për këtë projekt kishte fond limit 33.4 milionë euro dhe brenda 4 viteve të para të operimit objektiv ishte arritja e 1 milionë pasagjerë. Ky investim do të duhej të kryhej nga kompania që do të shpallej fituese në garë.
Ndërkohë pas projektimit, ndërtimit, operimit dhe mirëmbajtjes, në përfundim të periudhës 35-vjeçare do të bëhej transferimi i veprës aeroportule pranë organeve shtetërore.
Ndërkohë që, kërkesat specifike theksonin nevojën për ndërtimin e një terminali që fillimisht do të akomodonte 130 mijë pasagjerë në vit, ndërsa pas 10 vitesh 700 mijë pasagjerë. Pas anulimit të kësaj gare, më 28 tetor 2021, Ministria e Infrastrukturës e rihapi përsëri tenderin, por përsëri gara rezultoi e pasuksesshme.
Aeroporti i Sarandës, është projektuar me profil turistik, i hapur kryesisht vetëm në sezonin veror, por që mund të shërbejë edhe përtej sezonit për fluturime të brendshme. Madje aso kohe kur u hap tenderi u përfol që përmes këtij aeroporti do të bëheshin fluturimi nga Veriu në Jug, pra nga aeroporti i Kukësit drejt Sarandës. Aeroporti do të jetë i kategorisë 3C, dhe do jetë 2200 metra i gjatë. Aeroporti është projektuar për tu ndërtuar në zonën e Vrionit, në hyrje të Sarandës, përgjatë aksit Gjirokastër-Sarandë.
Vendndodhja e parashikuar e objektit është ne zonën e Finiqit, te Sarandës.
– Aeroporti i Sarandës ndodhet rreth 6 km larg qyetit të Sarandës, pranë rrugës nacionale, 20 m mbi nivelin e detit. Në perimetrin e zonës së projektit të distancuar prej tij ndodhen fshatrat Cukë, Caush, Aliko, Neohor, Dritas, Plaga e Re, Skate. Nga ana perëndimore, zona e projektit kufizohet me kodrat ku shtrihet fshati “Lekures” me kështjellën e tij dhe përtej kodrave shtrihet qyteti i Sarandës. Lumi Bistrica përshkon zonën e projektit përgjatë kësaj ane. Në anën jugore kufizohet nga Liqeni i Butrintit./Gijotina.com