Qeverisja kibernetike e Shqipërisë gjendet përballë sfidash të shumta, pas sulmeve që pësoi një vit më parë nga operatorë të mbështetur nga Irani.
Ekspertë të kësaj fushe vlerësojnë se Shqipëria ka përshtatur pjesërisht rekomandimet e Bashkimit Europian sa i takon sigurisë kibernetike.
Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes publikoi sot një studim mbi Sfidat e qeverisjes kibernetike në Shqaipëri.
Autorët theksojnë se sulmet kibernetike dëshmuan që, Shqipëria ka ende shumë punë me përshtatjen e rekomandimeve të reja të BE-së të vitit 2022, me parandalimin e rreziqeve kibernetike dhe zhvillimin e sistemeve te sigurisë.
Rekomandimet e BE-së për sigurinë kibernetike Shqipëria i ka përshtatur vetëm pjesërisht, e ndërkohë BE-ja ka nxjerrë një paketë të re rekomandimesh në vitin 2022.
Shqipëria po përgatit një projektligj krejt të ri për sigurinë kibernetike, i cili pritet të të zëvendësojë ligjin ekzistues.
Ndërkohë sulmet kibernetike ndaj infastrukturës digjitale të Shqipërisë, nxitur dhe mbështetur nga Irani, nisën 15 muaj më parë dhe kanë vazhduar të shtohen dhe të bëhen më të vështira për t’u përballuar, pohuan autoritetet në mbledhje për sigurinë kombëtare.
Autorja e studimit, Ilvana Dedja, thotë se qeverisja kibernetike e vendit është e paqartë tani në nivel të përgjithshëm, disa institucione publike, private dhe biznese nuk ndërlidhen apo nuk ndërveprojnë për të rritur sigurinë, dhe projektligji i ri që përpiqet të rritë bashkëpunimin e agjencive të specializuara.
“Konstatimet e studimit vërejnë që ligjet deri tani në Kuvend mbi sigurinë kibernetike apo të lidhur me digjitalizimin janë të përafruar pjesërisht me rekomandimet e BE-së. Shqipëria gjendet në përfundim të cluster-it të parë (Grup-Kapitulli 1) të negocimit me BE-në. Pra, ne nuk jemi në atë fazë për të pasur ligje të përafruara pjesërisht. Nëse mbeten të tilla, ne duhet t’i reformojmë këto ligje në të ardhmen, gjë që do të sjellë dëme në buxhetin e shtetit”,thotë autorja e studimit Ilvana Dedja.
Ligjet kanë disa hendeqe sa i takon përcaktimit të infrastrukturave kritike të rëndësishme në Shqipëri, si dhe mungon transparenca e institucioneve me qytetarët, shton ajo.
Sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë, thuhet në studim, rritën ndërgjegjësimin për sigurinë dhe zhvillimin, ndërsa shërbimet digjitale janë në shëndetësi, arsim, polici, prona, banka, ekonomi dhe një mori shërbimesh, ku edhe rreziku i ndërhyrjeve nga jashtë bëhet përherë e më i madh për jetën e qytetarëve dhe sigurinë kombëtare të vendit.
Bashkimi Europian ka rishikuar gjithë ligjet dhe rregulloret e kësaj fushe, duke zëvendësuar Direktivën e 2016 me një paketë re, Direktivën 2022, NIS2, thotë Arjan Dyrmishi, drejtues i Qendrës CSDG
“Sugjerimet tona janë që në procesin e miratimit të këtij ligji të ri të shikohet përafrimi me NIS2-shin, paketa e re e BE-së në 2022, sepse në këtë mënyrë ne mund të kapim boshllëqet dhe t’i plotësojmë këto boshllëqe sa i përket qeverisjes kibernetike më mirë dhe të jemi më të përafruar me Bashkimin Europian”,thotë zoti Dyrmishi.
Ekspertët theksojnë se nevojitet një bashkëpunim zinxhir mes institucioneve shtetërore dhe atyre private, duke bërë secili rolin e vet, sepse edhe shërbimet dhe qeverisja digjitale është një sistem zinxhir instrumentash.
Ata pohojnë se investimet në ligje, njerëz dhe teknologji duhen bërë tani, para se pasojat e mëvonshme nga sulmet kibernetike të jenë shumëfish më të larta se fondet fillestare që kërkohen sot./VOA