Pasi koomisariati i Policisë në Mirditë pati një ristrukturim të struktuarave drejtuese për shkak të ngjarjes që ndodhi në mes të qytetit, ku u vra një person dhe u plagosën 3 të tjerë, ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku zhvilluan një takimin me punonjës të Komisariatit. Balla kërkoi rritje të kontrolleve në territor, duke e konsideruar flagrant anashkalimin e ligjit dhe rolin e policisë në ngjarjen e fundit në qendër të Rrëshenit.
“Duhet ta garantoj popullin e nderuar të kësaj bashkie dhe të këtij qyteti, të Rrëshenit, i cili edhe në vite të vështira si viti 1997, ka dëshmuar qytetari, vetëpërmbajtje, besim te ligji dhe te shteti, ne duhet që të garantojmë që jeta e çdo qytetari dhe çdo banori të jetë e sigurt”, tha ministri.
Ai tha se do të ketë prezencë të shtuar të Policisë së Shtetit në Rrëshen, në mënyrë që të përmbushet ky angazhim. Më tej, Balla shtoi se për vitin 2024 për punonjësit e Policisë pritet të ketë rritje page.
“Shpresoj shumë që me buxhetin e ri të vitit 2024, të mundësojmë një rritje të konsiderueshme të pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit. Jam shumë i bindur që me këtë prezencë të rinjsh në këtë komisariat, me djem e vajza që kanë marrë përsipër, pa i hequr asnjë vlerë atyre që janë pak në moshë, të bëjmë ndryshimin që mezi pret populli i Mirditës. Kushdo nga ju që do ta bëjë detyrën si duhet, të jeni të sigurt që do të marrë vlerësimin tim maksimal. Por kush nga ju do vazhdojë me modelin e vjetër të mbylljes së syrit apo të veshëve, të kthimit të kokës nga krahu tjetër kur në krahun tjetër të rrugës ndodh një problematikë apo shfaqet një ‘i fortë’, duhet ta ndajë mendjen mirë dhe të na japë dorën sot, e të ikë. O do i shkojmë kësaj gjëje bashkë deri në fund, ose kush nuk ka dëshirë, le ta lërë që sot”, nënvizoi ministri i Brendshëm.