Kryeministri Edi Rama po zvillon një takim me bizneset ku në fokus të diskutimeve është rishikimi tërësor i procedurave administrative të biznesit dhe shkurtim të hallkave burokratike e përmirësim të mëtejshëm të klimës së biznesit. Sipas tij brenda këtij mandati do të kemi proces të rivilitalizuar procesin në Agjencinë e Prokurimeve Publike. Kjo në mënyrë që prokurimet të jenë të drejta dhe transparente.
“Ka ardhur koha që të rifokusohemi, të bëjmë një analizë të detajuar nga ajo që kemi nisur nga institucionet mbi të gjitha procedurat. Kemi nisur ta bëjmë duke e parë me sy kritik çdo procedurë për të kuptuar se çfarë mund të lehtësohet nga pikëpamja e asaj që është e shkruar. Besoj se është një proces që ka vend për përmirësim. Sot në këtë fazë, duke pasur parasysh se tani janë bërë disa vite që është e ecur përpara mbi bazën e një lehtësimi të bërë më parë, është koha për të riparë të gjithë proceset dhe për të bërë një lehtësim tjetër. Po bëjmë punën tonë nga brenda institucioneve, por në fund të ditës kjo është një punë që bëhet për sipërmarrjen dhe për lehtësinë e të bërit biznes në Shqipëri. Ju jeni objekti dhe subjekti i kësaj pune, ndaj kontributi juaj është i domosdoshëm, i pazëvendësueshëm. Brenda këtij mandati do të kemi proces të rivilitalizuar procesin në Agjencinë e Prokurimeve Publike. Kjo në mënyrë që prokurimet të jenë të drejta dhe transparente.”, tha Rama.