Skip to content
Politikë

Nënshkruhet marrëveshja për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore mes Shqipërisë dhe Kroacisë

· 2 min lexim

Është nënshkruar marrëveshja mes Shqipërisë dhe Kroacisë për njohjen reciproke të kontributeve të sigurimeve shoqërore për përfitimin e pensioneve.

Marrëveshja u nënshkrua këtë të hënë në Zagreb nga ministri i Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë, Ervin Mete dhe ministri i Punës, Sistemit të Pensioneve, Familjes dhe Politikës Sociale të Kroacisë, Marin Piletić.

Formalizimi i marrëveshjes midis Shqipërisë dhe Kroacisë mundëson koordinimin e skemave të sigurimeve shoqërore në përputhje me standardet e legjislacionit evropian, duke mundësuar gjithashtu përfitimet e papunësisë, pagesat e barrëlindjes, përfitime në para në rastin e aksidenteve në punë, etj.

Janë mbi 3 000 shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë e punojnë në Kroaci, që pritet të përfitojnë nga kjo marrëveshje.

Falë marrëveshjes për mbrojtjen shoqërore, e cila do të nisë të zbatohet pas ratifikimit nga parlamentet e të dy vendeve, qytetarët nuk do të humbasin kontributet e paguara, pavarësisht se ku kanë punuar. Një ditë më parë, më 1 tetor, hyri në fuqi marrëveshja me Zvicrën, ndërkohë që Shqipëria zbaton marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore me Turqinë, Hungarinë, Çekinë, Kanadanë, Gjermaninë, Maqedoninë e Veriut, Luksemburgun, Kosovën, Austrinë dhe Belgjikën. Janë në proces ratifikimi nga palët e huaja marrëveshja me Rumaninë, Bullgarinë dhe Malin e Zi.