Një efektiv policie dhe një qytetar, punonjës i një servisi makinash kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti mesditën e sotme në Vlorë. Sipas të dhënave të deritanishme mësohet se një automjet tip “Range Rover” ka goditur nga pas një makinë policie. Si pasojë e goditjes së fortë mjeti i policisë është rrotulluar dhe nga përplasja ka mbetur i plagosur efektivi dhe personi tjetër. Të dy janë transportuar me urgjencë në spital. Burime bëjnë me dije se shoferi i mjetit “Range Rover” që ka shkaktuar aksidentin ka qenë nën efektin e alkoolit.
Informacion paraprak
Rreth orës 13:40, në rrugën transballkanike, në vendin e quajtur “Ish-agjencia e vjetër”, automjeti tip “Range Rover” me drejtues shtetasin A. M. është përplasur me automjetin e Policisë Kufitare Vlorë, me drejtues punonjësin e Policisë, shtetasin A. I.
Si pasojë janë dëmtuar punonjësi i Policisë dhe pasagjeri në automjetin që ai drejtonte, shtetasi V. M., të cilët ndodhen në spitalin e Vlorës, jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po kryen veprimet për sqarimin e rrethanave të aksidentit.