Pas një hetimi me metoda speciale, Shërbimi për Çështje të Brendshme dhe Ankesa (SHÇBA) arrestoi në flagrancë 1 punonjës policie dhe 4 shtetas të tjerë, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar 19 shtetas të huaj për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.
Mësohet se efektivi i policisë i përket komisariatit të Elbasanit i cili u arrestua së bashku me 4 shqiptarë të cilët funksiononin si një grup në trafikun e qenieve njerëzore. Persona të huaj me shtetësi kurde dhe sirianë trafikoheshin prej tyre, pasi vinin nga kufiri i gjelbër në zonën e Devollit.
Grupi i shqiptarëve i transportonte me makina për në Tiranë, ndërsa efektivi i policisë kontrollonte rrugën. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme nisi edhe hetimin në gjendje të lirë për shefin e stacionit dhe dy punonjës të patrullës së kontrollit të kufirit të gjelbër në Devoll, për mospërmbushje të detyrës.
Ndaj të arrestuarve është ngritur akuza për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit, kryer në bashkëpunim”.
Një muaj hetime me metoda speciale çuan në kapjen në flagrancë të policit dhe shqiptarëve teksa në hyrje të qytetit të Pogradecit rreth orës 23:50, të datës 9 maj 2019, transportonin 19 klandestinë kurdë dhe sirianë.
Ata po transportoheshin drejt Tiranës me mjete që drejtoheshin nga shqiptarët me iniciale E.A. dhe T.H.
Të huajt kanë hyrë nga kufiri i gjelbër në zonën e Devollit dhe në afërsi të fshatit Trestenik janë marrë me makina nga E.A. dhe T.H.
Punonjësi i Policisë, J.Z. (trup shërbimi në Komisariatin e Elbasanit) dyshohet se kishte rolin e kontrolluesit të rrugës. Ndërsa dy shqiptarë të tjerë me inicialet M.A. dhe K.M. ishin shoqërues.
Në këtë aksion të Shërbimi për Çështje të Brendshme dhe Ankesa u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 automjete, aparate celularë dhe 120.000 lekë.
“SHÇBA-ja fton këdo që ka informacion për paligjshmëri apo abuzim nga punonjës të Policisë, të denoncojnë falas në numrin 0800 90 90, në kushte anonimati”- thuhet në një njoftim të Ministrisë së Brendshme.