Zëdhënësja e PD-së së Rithemelimit, Genta Vangjeli, ka denoncuar një tender prej mijëra eurosh të fituar nga zv.Ministrja e Arsimit Albana Tole. Sipas Vangjelit thotë se kjo e fundit, do duhej që para marrjes së detyrës së zv.ministres ose të ishte vetë përjashtuar shoqëria tregtare ose të refuzonte detyrën shtetërore. Zëdhënësja shprehet se “zv.ministria e Arsimit duhet të japë menjëherë dorëheqjen nga funksioni publik dhe të kthejë vlerën e përfituara nga shoqëria ku bën pjesë aktive si aksionere.” Skandali është akoma më i rëndë, pasi tenderi është marrë pa garë.
DEKLARATA E RITHEMELIMIT
Në buletinin nr.60, 3 Korrik 2023 Ministria e Mbrojtjes shpall fitues për tenderin me objekt “Blerje materiale për xhenion”, me fond 66.6 milionë lekë bashkimin e operatorëve ku bën pjesë shoqëria “Tirana Due shpk. Për këtë procedurë bie në sy fakti i paraqitjes së vetëm 1 ofertë, duke krijuar dyshime të arsyeshme se kriteret kualifikuese dhe specifikimet teknike në dokumentat e tenderit hartohen në mënyrë të tillë për të paracaktuar fituesin e shpallur.
Ministria e Mbrojtjes me veprimet e saj krijon kushte për të dyshuar se konkurrenca ngushtohet në mënyrë artificiale në kundërshtim me të paktën nenin 2 dhe 3 të ligjit nr.162/2020 për prokurimin publik, ku parashikohet:
- c) nxitja e pjesëmarrjes së operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit publik;
ç) nxitja e konkurrencës ndërmjet operatorëve ekonomikë;
Ministria e Mbrojtjes për këtë procedurë shpalli fitues ofertuesin e vetëm me vlerë 64.3 milion leke ose pothuajse 97% e fondit limit.
Informojmë publikun se në zotërim aktiv të aksioneve të kesaj shoqërie rezulton pronare me 15% zv.Ministrja e Arsimit Albana Tole në këtë detyre prej nëntorit 2021. A ishte në dijeni të këtij fakti Autoriteti Kontraktor i cili shpalli fituesin për prokurimin e mësipërm? Nga transaksionet e Thesarit rezulton se gjatë vitit 2022 dhe 2023 Tirana Due shpk ku është pronare aktive edhe zv.ministrja, ka përfituar 555.306.360 milion lekë të vjetra të gjitha nga Ministria e Mbrojtjes (Reparti Ushtarak Nr.4300 Tirane).
Neni 27 pika B dhe C i ligjit Nr .9367 PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESAVE NË USHTRIMIN E FUNKSIONEVE PUBLIKE thotë:
Kryeministri, Zëvendëskryeministri, ministri dhe zëvendësministri:
- b) nuk mund të ushtrojnë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar,
ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme
- c) nuk mund të zotërojnë në mënyrë aktive aksione ose pjesë të kapitalit të një shoqërie tregtare, pavarësisht nga fusha e veprimtarisë së saj.
Si mundet atëherë të ushtrojë detyrë shtetërore pronarja e shoqërisë tregtare Tirana Due shpk?
Znj. Tole para marrjes së detyrës së zv ministres duhet ose të ishte vetë përjashtuar shoqëria tregtare ose të refuzonte detyrën shtetërore. Çfarë mund të kërkojë qeveria nga të tjerët sa u takon standardeve, kur zyrtarët e lartë janë të parët që nuk zbatojnë dispozitat ligjore, por përfitojnë sa dhe ku munden nga influenca e funksionit publik që ushtrojnë. Zv. ministria e Arsimit duhet të japë menjëherë dorëheqjen nga funksioni publik dhe të kthejë vlerën 555.306.360 milion lekë të vjetra, të përfituara nga shoqëria ku bën pjesë aktive si aksionere. Formula bëni si themi në, por mos bëni si bëjmë ne, është slogan hajdutësh jo shtetarësh.