Një tjetër koncesion i dyshimtë pritet të shpallë tenderimin. Bëhet fjalë për të dhënë me koncesion atë që në gjuhën teknike quhet infrastruktura e çelësave publikë (PIK). Kjo infrastrukturë aktualisht përfshin dy shërbime. Ato janë certifikata dixhitale për efekt të fiskalizimit si dhë nënshkrimi elektronik. Të dyja shërbimet janë të detyrueshme me ligj dhe kostoja që biznesi paguan për blerjen e tyre është 8 800 lekë ose 84 euro në vit. Klodian Tomorri në një analizë për Kapitali.al njofton se të ardhurat e këtij shërbimi kapin vlerën dysheme prej 100 milion euro në vit duke përllogaritur se në vendin tonë operojnë rreth 120.000 biznese. Kjo tarifë shkruan gazetari mblidhet aktualisht nga AKSHI dhe do t’i kalojë një privati që do përzgjidhet si fitues për tenderin. Tomorri thekson se ky koncesion me shumë gjasa do të përfundojë në një dosje të re në SPAK, pasi po zhvillohet në një procedurë sekrete dhe të dyshimtë.
Nga Klodian Tomorri/ Kapitali.al
Ndonëse të gjitha koncesionet që janë hetuar nga SPAK deri më tani kanë rezultuar afera të pastra korruptive, qeveria nuk ka ndër mend të tërhiqet nga ky biznes. Kapitali.al ka mësuar se ministria e Financave ka nisur procedurat për të dhënë me koncesion atë që në gjuhën teknike quhet infrastruktura e çelësave publikë (PIK).
Kjo infrastrukturë aktualisht përfshin dy shërbime. Ato janë certifikata dixhitale për efekt të fiskalizimit si dhë nënshkrimi elektronik. Të dyja shërbimet janë të detyrueshme me ligj dhe kostoja që biznesi paguan për blerjen e tyre është 8 800 lekë ose 84 euro në vit. Sot këto para arkëtohen nga AKSHI. Por tani do të shkojnë llokum në llogarinë e privatit që do të përzgjedhë qeveria për t’ia dhënë me koncesion.
Kërkohen zyrtarisht ofertat
Pak kohë më parë, ministria e Financave ngriti grupin e posaçëm të punës, i cili do të hartojë termat e referencës në tenderin për dhënien me koncesion të infrastrukturës së çelësave publike. Grupi i punës përbëhet nga punonjës të Agjencisë së Koncesioneve, AKSHI-t, Tatimeve dhe Qendrës Kombëtare të Biznesit.
Ndërkohë një javë më parë, ministria e financave u ka nisur kërkesë 5 kompanive shqiptare që të paraqesin ofertat paraprake për qëllimin e studimit të tregut. Kjo është faza e fundit proceduriale përpara shpalljes së tenderit për dhënien me koncesion.
Kapitali.al ka mundur ta lexojë shkresën, edhe pse e gjithë procedura po zhvillohet në mënyrë sekrete dhe jo transparente, përfshirë përzgjedhjen e 5 kompanive, të cilave u është kërkuar oferta. Në shkresë, ministria e Financave kërkon nga kompanitë të japin ofertat për qëllimin e studimit të tregut dhe përcaktimit të fondit limit të koncesionit. Dhe ky është një biznes gjigand.
Kosto grabitqare
Aktualisht të gjitha bizneset në Shqipëri janë të detyruara me ligj të blejnë dy shërbime elektronike. E para është certifikata dixhitale për efekt të fiskalizimit. Pa këtë certifikatë bizneset shqiptare nuk mund të lëshojnë dot asnjë faturë. Kostoja e saj është 4 mijë lekë ose 38 euro në vit së bashku me tatimin mbi vlerën e shtuar.
Shërbimi i dytë është ai i nënshkrimit elektronik. Ky shërbim u bë i detyrueshëm këtë vit, përmes një procedure të dyshimtë ligjore.
Kostoja e nënshkrimit elektronik është 4800 lekë në vit ose rreth 46 euro. Pra në total të dy shërbimet, të cilat biznesi është i detyruar me ligj t’i blejë kushtojnë 84 euro në vit. Aktualisht Shqipëria ka 120 mijë biznese aktive.
Kjo do të thotë se bëhet fjalë për një koncesion, i cili në 10 vitet e ardhshme do t’u marrë shqiptarëve minimalisht 100 milionë euro në vit. Por kjo është vetëm shifra dysheme. Ky koncesion ka potencialin që të rritet në mënyrë eksponenciale, teksa qeveria detyron me ligj bizneset dhe qytetarët që të pajisen me certifikatat elektronike për çdo shërbim që ata marrin nga shteti, përfshirë aplikimet e thjeshta në e-albania.
Projekti
Në fakt projekti për të dhënë me koncesion “Ofrimin e shërbimeve të infrastrukturës së çelësave publikë (PKI)” është i hershëm. Madje disa vite më parë, në ministrinë e Financave u paraqit edhe një studim fizibiliteti, por në atë kohë shifrat ishin totalisht ndryshe dhe gjithë koncesioni vlerësohej 4 milionë euro në vit.
Më pas, qeveria bëri të detyrueshme për të gjitha bizneset certifikatën e fiskalizimit dhe nënshkrimin elektronik duke e rritur fluksin e të ardhurave të këtij shërbimi në mënyrë drastike.
Një vit më parë, qeveria miratoi një vendim të propozuar nga AKSHI përmes të cilit ngarkoi ministrinë e Financave si autoritetin kontraktor të këtij koncesioni. Por Delina Ibrahimaj e zvarriti procedurën, të cilën me sa duket e konsideronte një patate të nxehtë. Megjithatë, ndryshimet në qeveri e riaktivizuan koncesionin.
Dhe tani puna e parë e Ervin Metes si ministër i financave do të jetë ajo e firmosjes së koncesionit grabitqar të çelësave publikë, i cili me shumë gjasa do të përfundojë në SPAK. Lojtarët mund të ndërrohen, por loja duhet të vazhdojë. Pas disa vitesh shqiptarët do të mësojnë dardhaxhinjtë e radhës, edhe pse koncesioni po nxitet nga lart.