Serbia shpalli ditë zie 27 nëntorin “për ngjarjet tragjike” në Kosovë. Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me këtë vendim të autoriteteve serbe, të cilin e ka quajtur si sinjali më i keq që Serbia mund t’i jepte rajonit dhe komunitetit euro-atlantik! Sipas kyreministrit shqiptar Beogradi me këtë shpallje zije që nuk ka asnjë lidhje me shekullin XXI, i fryn si asnjëherë më parë qysh prej vitit 1999, zjarrit të një konflikti të armatosur!
“Zija e shpallur zyrtarisht në Beograd për pjesëtarët e grupit të armatosur që u asgjësuan nga forcat e sigurisë së Republikës së Kosovës, pasi nga ai grup iu mor jeta një efektivi të policisë është sinjali më i keq që Serbia mund t’i jepte rajonit dhe komunitetit euro-atlantik! Në ndërkohën që duhet të kishte hapur një hetim serioz për anëtarët e atij grupi kriminal, lidhjet e tyre me trafikantët e armëve dhe me të tjerë individë apo entitete, në Serbi apo gjetkë, potencialisht të angazhuara në krijimin e një lëvizjeje të armatosur në Veriun e Kosovës, Beogradi me këtë shpallje zije që nuk ka asnjë lidhje me shekullin XXI, i fryn si asnjëherë më parë qysh prej vitit 1999, zjarrit të një konflikti të armatosur!
Kjo është jo vetëm e pajustifikueshme dhe e papranueshme, por e dënueshme me të gjithë forcën e fjalës e të instrumenteve në dispozicion të bashkësisë euro-atlantike!”, deklaron Rama.
Ai thekson më tej se “ky është momenti që Serbia duhet ta ndajë qartë dhe prerë mendjen nëse do të jetë me Europën dhe botën demokratike të shekullit XXI apo me hijen e vetvetes së fundshekullit XX; me vlerat dhe parimet e Bashkimit Europian e të komunitetit euro-atlantik apo me fantazmat dhe me krimet e të shkuarës së saj të palavdishme të viteve ‘90; me të nesërmen europiane të fëmijëve të saj të pafajshëm apo me të djeshmen e fajshme të nacionalizmit vrasës e vetëvrasës!”.