Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me atentatin e ndodhur paraditen e sotme në mes të qytetit të Rrëshenit, ku mbeti i vrarë Martin Marku Bardhi. Mësohet se nga breshëritë e kallashnikovit janë plagosur edhe tre persona të tjerë. Gjithashtu policia bën me dije se 60-vjeçari Martin Bardhi sapo kishte dalë nga burgu, pasi ishte dënuar për pjesëmarrjen në atentat ndaj nipit të Kastriot Reçit. Policia njofton se si pasojë e të shtënave, kanë mbetur të plagosur me armë zjarri, shtetasit I. B., I. B. dhe O. Gj., të cilët kanë qenë në afërsi të vendit ku ka ndodhur ngjarja dhe janë transportuar në spital, për të marrë ndihmën mjekësore.
Ndërkohë, në fshatin Gëziq, Mirditë, është konstatuar duke u djegur një automjet tip fuoristradë, që dyshohet se është përdorur nga autorët, për kryerjen e vrasjes.
Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe në ndihmë të Policisë lokale, janë nisur Forcat Speciale “RENEA” dhe FNSH, si dhe në Rrugën e Kombit, në drejtim të Kukësit, të Laçit, Lezhës dhe Dibrës, janë ngritur pika kontrolli.
Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm hetimor, me specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në DPPSH dhe nga Policia vendore, dhe në drejtimin e prokurorit, vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve.