Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku e cila garon për një mandat tashmë 7-vjeçar në krye të organit të akuzës, tregoi jo vetëm synimet e saj, por edhe punën e deritanishme në Prokurori gjatë intervistës së dhënë për emisionin “open” në “tch”.
Prokurorja e Përkohshme Arta Marku foli për dosjen 339 apo siç njihet zyrtarisht “339-1”, prej së cilës janë shfaqur në publik përgjime të eksponentëve kriminalë, grupi i Avdylajve, në komunikim me kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako.
Ajo tha se janë 700 CD për tu transkriptuar dhe prandaj dosjet po mbahen për një kohë të gjatë. Sipas saj ato janë voluminzore dhe se ajo ka informacion për procedurat se si po ecin.
“Prokuroria nuk është më një organ i centralizuar, piramidal, në kuptimin që varet nga Prokurori i Përgjithshëm, por një sistem tërësisht i decentralizuar pas ndryshimeve të fundit kushtetuese të vitit 2016 dhe ligjeve që pasuan.
Zot i çdo çështjeje penale janë vet prokurorët në krye tyre, duke u përgjigjur për hetimin, për zgjidhjen dhe japin llogari vetëm përpara gjykatës për vendimmarrjen e tyre. Prokurori i Përgjithshëm nuk ka asnjë të drejtë të kërkojë informacion të detajuar për asnjë nga çështjet, nuk mund të marrë përsipër vet hetime, madje në Prokurorinë e Përgjithshme nuk bëhen më hetime.
Kjo Prokurori ka vetëm të drejtën për të përfaqësuar çështje në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese” – tha zonja Marku.
Megjithatë, informacioni që merr Prokurori i Përgjithshëm, sipas saj është i karakterit statistikor ose procedural. Por përse nuk përfundon hetimi i këtyre dosjeve? Sipas Markut, këto dosje janë mbajtur vetëm në fazën e hetimit, me përgjime pa fund dhe asnjë nuk është zbardhur në letër.