Ka mbërritur këtë të enjte në Tiranë trupi i pajetë i nëntetares Zarife Hasanaj, e mbetur e vrarë të hënën në bazën e NATO-s në Letoni, pas shpërthimit të municioneve luftarake.
Të veshur me të zeza, me një foto të 32-vjeçares të stampuar në bluza dhe një mesazh mbi të, familjarët e Zarife Hasanaj kanë dalë të presin në aeroport vajzën e tyre që sot kthehet në një arkëmort. “Në jetë të jetëve ti do të jesh me ne”. Ky është mesazhi që bashkë me titullin e dhënë “Dëshmore e atdheut” përjetëson kujtimin e Zarifes.
Për të pritur trupin e nëntetares Hasanaj, në Aeroportin “Nënë Tereza” dolën ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, zëvendësministri Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, deputetë të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, atashetë e huaj ushtarakë në vendin tonë, kolegë ushtarakë nga të gjitha forcat, si dhe familjarët e dëshmores së atdheut.
Pas pritjes me nderim ushtarake në aeroport, trupi i pajetë i nëntetare Hasanajt u dërgua për në banesën e saj, për të vijuar me ritet tradicionale familjare. Homazhet për dëshmoren e atdheut dhe më pas ceremonia shtetërore, do të zhvillohen ditën e premte në Pallatin e Kongreseve nga ora 10:00 – 12:30.
Pas kryerjes së homazheve dhe ceremonisë shtetërore, nëntetare Hasanajt do t’i jepet lamtumira e fundit në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku do të prehet përjetësisht.
Efektivja e FA-ve Zarife Hasanaj humbi jetën mëngjesin e 6 majit pas shpërthimit të një mine në Letoni. Nga shpërthimi janë plagosur rëndë komandanti i kontigjentit, Major Klodian Nikolla Tanushi dhe më lehtë Rreshter Julian Xhevat Kapaj. Efektivët e FA, pjesë e grupit xhenier për demontimin e minave, po marrin pjesë në misionin e NATO-s në Letoni për demontimin e minave luftarake.
Në një njoftim të shkurtër për mediat nga zyra për shtyp e Ministrisë thuhet se gjatë vizitës së saj, Xhaçka i shprehu ngushëllimet familjes së 32-vjeçares.“Dhimbja juaj është edhe e jona. Jeni pjesë e familjes së madhe ushtarake. Do të keni mbështetjen tonë për çdo nevojë. Ndarja nga jeta e Zarifes është humbje e madhe për të gjithë ne”- u shpreh ndër të tjera Ministrja.
Ministria njoftoi gjithashtu shpalljen “Dëshmor i atdheut” të efektives.