Çdo ditë që kalon TEC-et lundrues të instaluar në Vlorë “djegin” mijëra euro pa u vënë në punë dhe pa i shërbyer asnjëherë Shqipërisë. Ndaj këtyre TEC-ev ka pasur denoncime të shumta nga opozita që e konsideruar si një aferë korruptive, si dhe ekspertë mjedisorë të cilët duke konsideruar që këto TEC-e prodhojnë energji elektrike duke djegur naftë të rëndë, e cilësojnë me pasoja katastrofike për mjedisin përdorimin e tyre. Së fundmi kanë qenë një grup qytetarësh dhe organizatash mjedisore që kanë dorëzuar një padi kundër këtyre TEC-eve dhe që ka për qëllim anulimin e kontratës.
“Kontrata parashikon që qiradhënësi konsorciumi Excelerate energy + Renco paguhet me 94000 euro në ditë për shërbimin e prodhimit të energjisë. Deri sa të saktësohet ku ndodhen këto kompanitë e konsorciumit, të cilat marrin milionat, sipas kontratës janë paditur vetëm institucionet lejedhënëse dhe firmosëse shqiptare:
1.Agjencia Kombëtare e Mjedisit
2. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit
3. Enti Rregullator i Energjisë
4. Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH sha)
5. Këshilli i Basenit Ujor Vjosë”, thuhet në njoftimin e Mjedisi.al.
Dy termocentralet lundruese janë marrë me qira nga KESH për një periudhë dy-vjeçare. Në fakt anijet e ardhura nga Bangladeshi janë të një teknologjie shumë të vjetër dhe ka 30 vite që janë në funksion, madje në dy vitet e fundit nuk janë përdorur as në vendin ku janë marrë.
Këto anije u sollën në Shqipëri gjatë krizës energjitike dhe asokohe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku deklaronte se dy anijet do të prodhonin energji 55 megavat-orë secila, pra në total 110 megavat-orë për t’u shpërndarë në sistemin tonë të energjisë elektrike.
Ndërkohë kjo enegji e prodhuar do të vinte me një faturë të kripur nga pas, pasi kosto totale e qirasë për dy TEC-et dhe prodhimit të energjisë për dy vite sipas KESH do të jetë rreth 330 milion dollarë.
Sipas Citizens Channel në padinë e dorëzuar nga qytetarë dhe 4 organizata mjedisore kërkohet shfuqizimi i Deklaratës Mjedisore për KESH, për të zhvilluar projektin “Impiant Termik Lundrues i përkohshëm në Vlorë”, të lëshuar nga AKM në 22 Gusht të 2022.
Së dyti, shfuqizimin e vendimit për licencimin e KESH “Në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga Tec-i lundrues i instaluar në Portin e Triportit në Gjirin e Vlorës”, të miratuar nga Enti Rregullator të Energjisë.
Së treti, kërkohet shfuqizimi i lejes mjedisore e miratuar nga Ministria e Turizmit.
Organizatat kërkojnë po ashtu të anulohet vendimi që lejon përdorimin e burimit ujor sipërfaqësor për qëllime industriale dhe teknologjike nga KESH. Së fundmi kërkohet anulimi i të gjitha akteve dhe procedurës së zhvilluar nga KESH për dhënie me qira të asetit gjenerues termik dhe si shpenzimet gjyqësore të jenë në ngarkim të palës së paditur.