Hyjnë zyrtarisht në fuqi 3 ligjet e kontestuara të qeverisë të cilët së fundmi u kaluan në heshtje nga Presidenti i Republikës. Ligji për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore, për Akademinë e Shkencave dhe ai për studentët e Mjekësisë janë botuar në fletoren zyrtare.
Të tre ligjet u miratuan në seancën e fundit të parlamentit në të gdhirë të datës 21 korrik, pavarësisht kontestimeve nga opozita dhe shoqëria civile. Kujtojmë se për ligjin që detyron studentët e mjekësisë që të punojnë 5 vite në vend dhe pastaj të pajisen me diplomë pati protesta nga studentët e Universitetit të Mjekësisë, të cilët u pritën edhe nga Presidenti Begaj, por ky i fundit vendosi ta kalojë në heshtje ligjin kundër tyre.