Pas skandalit në repartin ushtarak të Zall Herrit ku u zbuluan parcela të mbjella me kanabis, deputeti i PD, Gazment Bardhi kërkon që ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi të japë dorëheqjen. Bardhi akuzon ministrin se ka pasur dijeni për mbjelljen e kanabisit dhe ironizon me shprehjen e përdorur nga kryeministri Rama që përgjegjësia është personale.
Reagimi i plotë:
Një vit më parë, në parlament u diskutuan disa ndryshime në ligjin për Policinë Ushtarake. Ishin ditët, kur autoritetet hollandeze zbuluan përfshirjen e një majori të ushtrisë shqiptare në ndërtimin e një shtëpie hashashi në Hollandë, ndërkohë që ishte aty me mision në kuadër të NATO-s.
Në fjalën time në Komisionin e Ligjeve, e përmenda këtë rast për të kuptuar si i kishin kryer detyrat Policia Ushtarake dhe Shërbimi Informativ i Ushtrisë, pasi ky nuk ishte një rast i izoluar. Nuk prisja të merrja përgjigje as nga përfaqësuesi i ushtrisë, as nga përfaqësuesja e qeverisë. Ata ekzistojnë vetëm për të mbuluar gjurmët e krimit të organizuar që ka depërtuar tani edhe në ushtrinë e vendit anëtar të NATO-s. E di që kjo është një akuzë e rëndë, por faktet janë kokëforta.
Një vit më parë, kam deklaruar me zë të lartë se rasti i oficerit të lartë shqiptar në Hollandë nuk është i izoluar, pasi në repartet ushtarake mbillet kanabis për llogari të organizatave kriminale 👇. Deputetët e dëgjuan. Qeveria e dëgjoi. Ushtria e dëgjoi. Shërbimi Informativ i Ushtrisë dhe Shërbimi Informativ Shtetëror e dëgjoi. Cili ishte reagimi? Zero! U fshehën pas frazës së preferuar të kryeministrit “përgjegjësia është personale”. Që në fakt, është një thirrje nxitëse “bravo çuna, jepini derisa t’ju kapin”!
Dita erdhi që t’i kapin, sërish, partnerët e NATO-s, se po të ishte për Edi Ramën apo Niko Peleshin, kanabisi do të mbillej edhe në taracën e Kuvendit të Shqipërisë dhe të Kryeministrisë. Sot është dita që Niko Peleshi të japë dorëheqjen, sepse ai e dinte që në repartet ushtarake mbillej drogë. Ia thamë ne në parlament, siç thamë disa vite më parë se nga repartet ushtarake ngriheshin avionë që transportinin drogë. Edhe atëherë rezultoi e vërtetë! Zoti Ministër i Mbrojtjes, përgjegjësia është personale e juaja! Jep dorëheqjen!