Fluksi i aplikimeve për azil ka rënë ndjeshëm në muajt e parë të këtij viti, në tendencë të kundërt nga 2022-shi, kur u konstatua një valë e re e ikjes masive, çka bëri që numri i aplikimeve për azil në Bashkimin Europian dhe Mbretërinë e Bashkuar të arrinte në nivelin më të lartë nga 2015-a.
Të dhënat e reja të INSTAT bëjnë të ditur se në 4 muajt e parë të këtij viti Bashkimi Europian regjistroi 3,400 kërkesa për azil me një tkurrje prej 12% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kërkesat kanë ardhur në rënie muaj pas muaji. Nga 925 kërkesa gjithsej në janar, në prill u regjistruan vetëm 720 të tilla.
Franca mbetet shteti kryesor që pret aplikimet më të madha për azil me rreth 40% të totalit, e ndekur nga Gjermania me rreth 22%. Gjithsesi, drejt Gjermanisë ka shumë persona që ikin me kontrata pune, çka nuk reflektohet në asnjë tregues dhe është i vështirë që të matet, përveçse kur të publikohen shifrat për lejet e qëndrimit të dhëna në vitin 2022.
Edhe Greqia e Italia vijojnë që të marrin aplikime për azil nga shtetasit shqiptarë.
Në maj, BE raporton se ka pasur 395 kërkesa për azil nga shtetasit shqiptarë në një nga vendet e BE-së, por mungojnë të dhënat për Francës, që mesatarisht në pjesën e parë të vitit ka pasur 250-300 kërkesa për azil nga Shqipëria.
Në vitin 2022, sipas të dhënave të Eurostat, (që nga viti 2020 i raporton të dhënat për 27 vendet e Bashkimit Europian pa Mbretërinë e Bashkuar), në total kishte 13.2 mijë aplikime për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian, niveli më i lartë që nga 2020-a. Në krahasim me një vit më parë, aplikimet për azil u rritën me 16%.
Ndërsa të dhënat e tjera, të publikuara nga Zyra e Statistikave të Emigracionit, Mbretëria e Bashkuar dhe të përpunuara nga “Monitor” tregojnë se numri i aplikimeve për azil gjithsej nga shtetasit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar ishte 15,925, duke shënuar një nivel rekord për këtë vend.
Së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, numri total i aplikimeve në Europë arriti në 30 mijë, niveli më i lartë që nga 2006-a.
Bashkimi Europoian kishte mbi 72 000 azilkërkues në prill 2023
Sipas Eurostat, në prill 2023, 72 630 aplikantë për azil për herë të parë (shtetas jo të BE-së), aplikuan për mbrojtje ndërkombëtare në vendet e BE-së. Krahasuar me prillin 2022 (54 350), kjo përfaqëson një rritje prej 34%. Kishte gjithashtu 5 310 aplikantë të përsëritur, një rënie prej 5 % krahasuar me prillin 2022 (5 610).
Ashtu si në muajt e mëparshëm, në prill 2023, sirianët ishin grupi më i madh i njerëzve, që kërkonin azil (9 420 aplikantë për herë të parë). Ata u pasuan nga afganët (7 405), venezuelianët (5 785), kolumbianët (4 770) dhe turqit (4 640).
Pas agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, pati një rritje të konsiderueshme të azilkërkuesve ukrainas për herë të parë (nga 2 105 në shkurt 2022 në 12 190 në mars 2022), por shifrat kanë rënë çdo muaj në 895 në prill 2023. Kjo ndodh edhe sepse njerëzit, që ikin përkohësisht nga Ukraina përfitojnë nga mbrojtja.
Në prill 2023, numri i aplikantëve për azil për herë të parë me nënshtetësi ruse, u rendit i 12-ti në mesin e të gjitha shtetësive, me 1 720 aplikime.
Në prill 2023, Gjermania (20 950), Spanja (12 910), Franca (10 260) dhe Italia (8 175) morën numrin më të madh të aplikantëve për herë të parë për azil, duke përbërë pothuajse tre të katërtat (72 %) të të gjithë aplikantëve për herë të parë në BE.
Në total në BE, kishte 162 azilkërkues për herë të parë për një milion njerëz, në prill 2023.
Krahasuar me popullsinë e çdo vendi të BE-së (më 1 janar 2023), nëntë shtete anëtare kishin një normë më të lartë se raporti i përgjithshëm i BE-së. Shkalla më e ulët është vërejtur në Hungari (0.4).
Në prill 2023, 2 625 të mitur të pashoqëruar, aplikuan për azil për herë të parë në BE, kryesisht nga Afganistani (895) dhe Siria (685).
Vendet e BE-së, që morën numrin më të madh të kërkesave për azil nga të miturit e pashoqëruar në prill 2023, ishin Gjermania (1 105), përpara Holandës (340) dhe Austrisë (285)./RevistaMonitor