Një grup hetuesish francez është mbërritur në Prokurorinë e Posaçme në Shqipëri javën e kaluar.
Sipas informacioneve nga SPAK të marra nga Fax Web arsyeja e mbërritjes së tyre në vendin tonë lidhet me hetimet e përbashkëta mbi dosjen e sendeve me vlerë të futura ilegalisht në Shqipëri nga Franca. Nën akuzë është vendosur edhe ish shoferi i Ardi Veliut, Sokol Idrizaj.
Agjentët francezë morën dëshminë e disa prej të ndaluarve në Shqipëri, në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, pasi kishin kërkuar informacione mbi rolin e secilit anëtar të grupit të akuzuar dhe njohjet që keta persona kishin me shtetas të identifikuar në Francë.
Pas administrimit të dëshmive, hetuesit francezë u larguan nga Shqipëria.
Më datë 16 qershor, nën akuzë u vendosën 12 persona, përfshirë ish shoferin e Veliut, gruan dhe dy vajzat e tij. SPAK njoftoi publikisht se hetimet e përbashkëta kishin zbuluar një rrjetë kriminale që bashkëpunonte në shitjen dhe transportin e mallrave të vjedhura në Francë, si dhe lëvizjen e vlerave monetare.
Grupi i parë operonte në Francë, ku kishte një hotel si bazë për grumbullimin e parave dhe sendeve të vjedhura. Grupi i dytë kishte detyrën të futte sendet e vjedhura në Shqipëri.
Hetimet filluan nga prokuroria e Lionit, 3 vite më parë, pasi u kapën në një minibuz të një agjensie turistike rreth 1.5 kg flori dhe rreth 80 mijë euro në dy episode të ndryshme.
Sipas dosjes së hetimit, këta persona kanë futur ilegalisht nga Franca në Shqipëri sende me vlerë që pastaj shiteshin në argjendaritë, si dhe kishin transportuar në mënyrë të paligjshme shuma monetare. Transaksionet bankare tregojnë se këto grupe kanë kaluar drejt Francës 724,386 Euro për blerje të sendeve, ndërsa shumat në cash që janë transportuar përmes kufirit shqiptar përbëjnë vlerën e 2.1 milionë eurove.