Pushteti i medias në ditët e sotme është kthyer në një “gjueti shtrigash” e rrotullohet në duart e oligarkëve, që për interesa vetjake gjobisin, trillojnë, transformojnë apo fshehin fakte kompromentuese, si dhe sulmojnë individë që s’kanë asnjë lidhje me pazaret e pista të oligarkëve.
I tillë është rasti i Genti Sanxhakut, pedagogut dhe biznesmenit, emri i të cilit po lakohet sot gjerë e gjatë në mediat e shitura, për pastrim parash e krime për të cilat as vetë Genti nuk është në dijeni!
Sanxhaku iu drejtua me një letër “Gazetës Reforma”, për të sqaruar njëherë e mirë lajmet keqinformuese, për të dhënë fakte reale mbi figurën e tij dhe operimet në biznes, që persona të paguar po përpiqen t’ia përbaltin.
Ai vë theksin mbi fenomenin që ndodh rëndom në vendin tonë dhe atë që redaksia jonë e raporton shpesh: Presionin dhe dhunën mediatike në mediat e shitura tek oligarkët, një nga shumë arsyet që po detyrojnë të rinjtë të largohen çdo ditë nga Shqipëria!
Sot, në Shqipëri nuk sulmohen oligarkët me prova kompromentuese që do t’i kalbnin në burg, por sulmohen pa bazë qytetarë të ndershëm e të papërfshirë në krim, si Sanxhaku, të cilin e “titulluan” edhe urith që pastron paratë e gjyqtarëve e prokurorëve të Durrësit, e madje e mbrojnë nga arrestimi se sipas tyre i ka “shpatullat e ngrohta”.
Shkrimi i plotë i Sanxhakut:
“Ditët e fundit janë hedhur disa akuza të forta në disa portale, pa asnjë lloj baze dhe asnjë lloj prove mbi emrin tim dhe familjen time, duke më akuzuar për disa vepra të cilat janë shpifje të pastra dhe aludime të disa individëve me qëllime dashakeqe.
Un jam pedagog dhe biznesmen që menaxhoj dhe ndihmoj biznesin e familjes time që prej vitit 2008, pasi kam përfunduar studimet e larta në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Hollandë, me bursa të akorduara mes të tjerave nga vetë Mbretëresha e Hollandës dhe fondacioni NUFFIC i po këtij shteti.
Punoj prej vitesh si pedagog në universitet, ku drejtoj lëndën e “Politikave Ekonomike dhe Strategjive të Korporatave Multinacionale”, për të cilën jam edhe specializuar.
Që nga viti 2020 kam drejtuar biznesin familjar dhe si të gjithë shqiptarët kam zhvilluar pronën e familjes time, duke investuar me anë të huave bankare (të cilat janë të dokumentuara në arsimin parauniversitar) dhe në ndërtimin e një godine multifunksionale .
Pikërisht nga ndërtimi ka nisur konflikti me një nga komshinjtë pranë pronës sonë, i cila na ka akuzuar vazhdimisht pa të drejtë, pasi ka refuzuar kërkesën tonë për një projekt të përbashkët. Ne kemi zhvilluar pronën tonë sipas rregullave dhe ligjit në fuqi, me të gjithë dokumentacion përkatës.
Unë jam njoftuar vazhdimisht për paraqitje nga të gjitha institucionet përkatëse, mes tyre dhe SPAK. Pasi është shqyrtuar dokumentacioni i rregullt, më kanë dhënë të drejtë të plotë dhe më kanë bërë me dije që nuk jam i hetuar, por jam paraqitur si një individ në dijeni për ngjarjen.
As unë dhe as familja ime nuk jemi marrë kurrë me aktivitet të pastrimit të parave dhe me asnjë lloj tjetër krimi. Familja ime ka investuar shumë për edukimin dhe formimin tim në universitetet më prestigjoze në botë, ndërsa babai im i ndjerë ka ruajtur deri në fund të jetës reputacionin si një ndër njerëzit më të përkushtuar e punëtorë të qytetit.
Kjo është një gjueti shtrigash, e cila duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë! Rinia po largohet nga vendi pikërisht prej presionit dhe dhunës mediatike! Në këto platforma të kontrolluara nga oligarkët, botohen trillime pa investigim, hidhet baltë e vendosen “gjoba” për njerëzit që punojnë pastër dhe me djersë.
Ju bëj me dije se Ambasada Britanike, Ambasada Amerikane dhe Ambasada Hollandeze kanë informacion të detajuar mbi profilin dhe punën time kërkimore shkencore. Lutem të vërtetoni të gjitha faktet mbi mua!”