Apeli i GJKKO-së e ka lënë sërish në burg ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, i cili kërkoi zbutje të masës së sigurisë. Dako së bashku me disa ish-zyrtarë të tjerë të bashkisë së Durrësit akuzohen se kanë legalizuar një objekt të ndërtuar para zbardhjes së lejes së ndërtimit, dhe jo sipas projektit të miratuar.
Po kështu sipas SPAK, ish-kryebashkiaku së bashku me drejtorin e firmës së ndërtimit, arkitekten dhe topografët kanë shpërdoruar detyrën, ku citohet se këta të fundit “nuk kanë pasqyruar në dokumentacionin tekniko-ligjor, të objektit të vërtetën në lidhje me kohën kur janë bërë punimet dhe është realizuar ndërtimi, duke bërë që këto akte të jenë të falsifikuara në përmbajtje”.
VENDIMI I APELIT TE GJKKO
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Daniela Shirka, sot më 18.07.2023, zhvilloi seancë gjyqësore për çështjen penale nr. 31 akti, datë 10.07.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimet e personave nën hetim V.D., F.E., M.S.(P.), F.H., F.F., A.B., ndaj vendimeve nr. 57, datë 06.06.2023 dhe nr. 61, datë 08.06.2023 (mbi caktimin e masave të sigurimit personal) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
– Miratimin e vendimit nr. 57 akti, datë 06.06.2023 dhe vendimit nr. 61 akti, datë 08.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për personin nën hetim V.D.
– Miratimin e vendimit nr. 57 akti, datë 06.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për personat nën hetim F.E. dhe F.H.
– Miratimin e vendimit nr. 61 akti, datë 08.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për personat nën hetim M.S.(P.), F.F. dhe A.B.