Numri i të rinjve të regjistruar si të papunë në zyrat e punës ka shënuar rritje në tremujorin e parë të vitit 2023 në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave zyrtare.
Burimet administrative tregojnë se në tremujorin e parë u regjistruan si të papunë në zyrat e punës 17,988 persona të moshës 15-29 vjeç, rreth 1500 ose 8.7% më shumë se në janar-mars 2022.
Megjithëse tregu i punës vitet e fundit po ofron fleksibilitet, duke rritur ofertën për punë, ata që po përfitojnë më shumë janë persona në moshë pensioni ose persona në prag të pensioni.
Vendet e reja të punës kërkojnë pak aftësi dhe për rrjedhojë paga afër minimales dhe nuk janë tërheqëse për të rinjtë.
Për shembull gati 70% e vendeve të reja të punës të ofruara vitet e fundit nga bizneset i përkasin sektorit të industrisë përpunuese kryesisht sektorit fason, sektorë që nuk parapëleqhen më nga moshat e reja.
Në të kundërt, bizneset ku punësohen më shumë të rinjtë janë Call Center, ndërsa moshat mbi 45 vjeç, punësohen kryesisht në profesione elementare, femrat në degët e industrisë përpunuese ndërsa meshkujt në ndërtim dhe miniera.
Agjencia Kombëtare e Punësimit vlerëson se niveli arsimor i ulët i të papunëve të regjistruar pranë Zyrave punësimit është një pengesë serioze në punësimin e tyre.
Punëkërkuesit e papunë me arsim deri në 9-vjeçar, përbëjnë 56% të totalit të Pu.Pa-ve të regjistruar, ndërkohë që 14% e ofertave të punës janë për specialist me arsim të lartë, teknik të mesëm dhe nëpunës, 26% janë për zanatçinjtë dhe 29% për punonjësit e industrisë.
INSTAT raportoi si të punësuar mbi 71 mijë pensionistë në tremujorin e parë të cilët përbënin 15.6 për qind të totalit të popullsisë mbi 65 vjeç. Në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2022 numri i pensionistëve të punësuar u rrit me 17%.
Teksa popullsia në grup-moshat e reja po shënon rënie të shpejtë, në moshën më të vjetër ka rritje. Në janar të vitit 2023 mbi 454 mijë persona ishin mbi 64 vjeç me një rritje 3.4% në krahasim me vitin janarin 2022 dhe me rreh 17% në krahasim me janarin e vitit 2018.
Të dhëna më të detajuara tregojnë se burrat në moshë pensioni janë të angazhuar në punë më shumë se gratë, pavarësisht se këto të fundit jetojnë rreth 5 vite me gjatë se burrat.
Në fund të vitit 2022, INSTAT raportoi se 20% e burrave në moshë pensioni ishin të punësuar në raport me gratë pensioniste me vetëm 6.4% në punësim.
Shifrat zyrtare tregojnë se pensionistët kanë norma më të larta punësimi në tremujorin e dytë dhe të tretë të çdo viti, ku përkon edhe kulmi i sezonit turistik dhe bujqësor./MONITOR