Nga Lutfi Dervishi
Ngazëllimi qeveritar për rezultatet e gjashtëmujorit të satelitëve Albania 1 dhe Albania 2, nuk mund të mos reflektohej edhe mbi portretin e Kikos, majmunit tonë të dashur, që këtë projekt e përkrahu qysh atëherë kur shumëkush e konsideronte projektin si “të fluturosh me… banane”.
Mendimi i parë që i erdhi në tru Kikos ishte rritja e rrogave, pasi e meritojnë të dy satelitët t’u dyfishohet paga. (Pse jo edhe trefishohet, por kur të dalë lumi i naftës në Shpirag).
“Po pse, çfarë janë 12 milionë euro kur sheh këto rezultate që të lënë pa frymë?! Aq më tepër sot kur leku e ka shtrirë euron përtokë?!”, mendoi majmuni ynë teksa la mënjanë bananen e nxirrë nga dielli dhe menjëherë nxitoi të hedhë disa mendime në blogun e tij personal “Haberet e Kikos”.
Rezultatet e fazës së parë janë vërtet inkurajuese, edhe pse kanë punuar në kushte tejet të vështira të motit, atij natyror, por edhe atij politik me ironi bajate që vërshojnë bulevardeve të Tiranës si shi acid.
Në kushtet kur reshjet kanë mjegulluar pamjet, është dashur ndihma bujare e 8 satelitëve të tjerë për të parë përtej.
Veç falë tyre mundëm të zbulojmë faktin e rëndësishëm se përmbytjet si në veri ashtu edhe në jug të vendit kanë ardhur nga uji. Boll me spekulime, boll me akuza, boll me debate! E vërteta flet jo në 2, por në 8 satelitë.
Po ashtu falë satelitëve është konfirmuar se flakët që përpinë Sazanin vjet në këtë periudhë erdhën për shkak të zjarrit. Kush ka sy për të parë, veshë për të dëgjuar dhe mendje për të kuptuar nuk merret me tymin, por me flakën.
Megjithëse një tjetër përfundim i dobishëm ishte konkluzioni se uji në det është i kripur, ndërsa në lumenj dhe liqene është i ëmbël, kjo nuk u përllogarit në bilanc sepse do bëhet edhe një provë e fundit përmes një kaçavide speciale iraniane, e cila nuk mat vetëm korentin, por edhe ujin.
Po ashtu aty ku imazhet e satelitëve paraqesin ngjyrë të gjelbër bëhet fjalë për sipërfaqe të gjelbëruara. Kjo e dhënë mund të orientojë më mirë politikat bujqësore dhe mund të nxisë fermerët të investojnë në blegtori dhe investitorët strategjikë në turizëm.
Sot falë kësaj teknologjie mund të identifikojmë nga lart se cili shalqi është zemërkuq. Madje-madje mund të zbulohen fare lehtë kungujt pa fara si dhe kungujt që rriten e marrin për kot gardhin.
Kritikët, skeptikët dhe cinikët që asnjëherë nuk i kanë munguar këtij vendi, do të thonë se satelitët qenkan lodhur shumë se paskan zbuluar bar, por bari është edhe qumësht edhe mish!
Por kjo vlen vetëm për ata që kuptojnë.
Prania e syrit të satelitëve do bëjë që askush të mos guxojë të ndërtojë pa leje në sheshin “Skënderbej” duke përfituar nga ideja se syri i institucioneve s’mund të shohë.
Veç të tjerash, falë punës së tyre nga lart, do të përfundojnë edhe 20 km e unazës së madhe të Tiranës ku tani kompanitë nuk kanë nga luajnë. Do të punojnë ashtu siç shkruhet në facebook… “Papushim”.
Më tej, satelitët po zhdukin nga komunikata e policisë fjalinë legjendare: “autorët u larguan në drejtim të paditur”. Ata po gjejnë gjithçka, përveç shitësve ambulantë, të cilët janë specialitet i policisë bashkiake që trajnohen me programet e nivelit të lartë “Harbutëriologjia”.
Mos harroni edhe se cilësia e naftës do të dallohet nga tymi që del nga marmita e makinës dhe jo si tani që nafta po dallohet me matësin e gradacionit të rakisë.
Në fund të blogut, Kiko la edhe një shënim reflektues, të cilin e vendosi në një dritare të veçantë.
“O shqiptarë të paduruar! Nëse do të prisni edhe pak vite, do të shihni se e ardhmja e shtetit ligjor nuk është në tokë, por në hava. Ky vend rregullohet vetëm nga lart. Nga poshtë ka 100 vjet që grinden si zhabat në një pellg të ndenjur.
Harroni Big Brotherin e televizionit sepse Big Brotheri i vërtetë është ai sipër.
Për të gjitha këto, miq, sugjeroj që satelitëve duhet t’u rritet rroga, pasi edhe ata mund të ikin në Gjermani si çdo gjë tjetër e mirë në këtë vend”.
Kiko mbylli blogun dhe pastaj u mendua një hop para bananes së nxirë akoma edhe më shumë nga dielli.
Nga sot e tutje, falë satelitit do ta mësojmë pse ndodh edhe ky fenomen.