Teksa po zhvillohet seanca plenare, kreu i SPAK-ut Altin Dumani ka bërë një bilanc të institucionit që drejton dhe po ashtu ndër të tjera është ankuar për mungesë fondesh.
Kreu i SPAK, Altin Dumani ka raportuar në Kuvend për punën e Prokurorisë së Posacme të Krimit të Organizuar gjatë vitit 2022. Gjatë fjalës së tij, Dumani ka evidentuar problematikat e SPAK, ku ka theksuar numrin e lartë të procedimeve të mbartura, teksa ka thënë se kësaj çështje i duhet dhënë menjëherë zgjidhje.
“Problematikat e SPAK – më e madhe është numri i madh i procedimeve të mbartura dhe ngelet që ky vit, që nga fillimi dhe në 6 muajt në vazhdim, prokurorët të merren me çështjet e mbartura, duhet patjetër që t’i japim zgjidhje kësaj problematike.
Kemi vuajtur mungesën e infrastrukturës. 3, 4 ose më shumë hetues në një zyrë dhe në pamundësi për të ushtruar funksionet e institucioneve. Me vendim të Këshillit të Ministrave, SPAK ka marrë në pronësi një godinë që është pranë godinës dhe përmbush funksionet e SPAK. Kjo mund të quhet problematikë e zgjidhur.
Mungesa e ekstradimit të eksponentëve të krimit nga Emiratet e Bashkuara Arabe ka vënë në vështirësi hetimet. Nuk kemi as edhe një të ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Statusi financiar jo i kënaqshëm i ekspertëve të provave digjitale. Ne kemi një laborator, kemi rekrutuar 3 ekspertë, por trajtimi i tyre financiar lë për të dëshiruar dhe kemi frikë që mund të na largohen.
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur gjerësisht si SPAK, i ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë për vitin 2022 plot 588 milionë lekë të rinj.
Shifra financiare e barasvlershme me 5.2 milionë euro është totali i shpenzuar për institucionin me pritshmërinë më të madhe publike për rezultate domethënëse në hetimin e politikanëve të korruptuar dhe “peshqve të mëdhenj” të botës së krimit.
Referuar raportit vjetor të punës së SPAK për vitin që lamë pas, pjesa më e madhe e kësaj shifre, plot 73% ka shkuar për pagat e prokurorëve, agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe administratës”, u shpreh kreu i SPAK-ut Altin Dumani.