Gjykata e Vlorës ka vendosur masën “arrest me burg” për shtetasin Brikel Alikaj, i cili u arrestua dy ditë më parë nga policia e Vlorës pas konfliktit në spitalin e këtij qyteti. Alikaj dhe disa familjarë të tjerë u konfliktuan me policinë dhe stafin mjekësor të spitalit të Vlorës, pasi teksa dërguan me urgjencë përmes ambulancës familjarin e tyre Arbër Ferati, i cili kishte rënë në kontakt me elektricitetin, nuk mund ta nxirrnin këtë të fundit nga ambulanca pasi nuk hapej dera.
Pamjet e publikuara nga mediat tregonin qartë se si në ambientet e spitalit familjarët e të ndierit janë konfliktuar me policinë dhe mjekët, pasi kërkonin ti jepej ndihmë sa më shpejt të afërmit të tyre.
Arbër Ferati ndërroi jetë, pasi ra në kontakt me kabujt e tensionit të lartë të rrëzuar përtokë, gjatë kohës kur po korrte grurin me autokambajna.
Menjëherë pas transportit në spital, dera e ambulancës është bllokuar.
Kjo gjë ka shkaktuar tension të situatës dhe përplasje të tyre me uniformat blu. Prokuroria ka kërkuar arrest me burg për të e pranuar nga gjyqtarja Vjola Canaj. Pala mbrojtëse e përfaqësuar nga Odeta Aliraj ka kërkuar lirim me kusht. Gjykata bazuar në pamjet filmike e ka cilësuar të ligjshëm arrestimin teksa ka pranuar kërkesën e prokurorisë.