Ditët e fundit ka shpërthyer një debat i gjerë sa i përket Luftës Antifashiste Nacional Çlirimitare, gjë që ka zgjuar edhe reagimin e kryeministrit Rama.
Ditën e some, e cila përkon edhe me Ditën e Dëshmorëve, Rama ka sulmuar drejtpërdrejt Agron Tufën, Drejtorin e Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, për të cilin ka thënë se është duke u paguar me taksat e popullit.
“Duke mos lejuar që në emër të studimeve të krimeve të komunizmit të cënohet një fije floku, cilitdo që mori armët për të luftuar fashistët dhe nazistët në luftën anti-fashiste nacional çlirimtare.
Dhe në këtë aspekt qëndrimi im është shumë i qartë dhe i palëkundur. Çfarë ndodhi dhe si ndodhi në pikëpamje të luftës për çlirim deri në 29 nëntor të vitit 1944 nuk mund të jetë kurrë objekt i një instituti që paguhet nga taksat e shqiptarëve. Çfarë erdhi pas ka qenë objekt i punës së atij instituti dhe i takon Kuvendit të Shqipërisë të bëjë të gjitha vlerësimet e nevojshme në raport me ligjin apo me shkeljen e ligjit. Në raport me dobinë apo me dëmin e shkaktuar nga një i tillë institut”, deklaroi Rama.
I gjithë diskutimi ka nisur nga libri i Çelo Hoxhës “Krimet e Komunizmit”, i botuar pikërisht nga instituti që drejton Tufa, ku ka dhënë 265 emra, drejtues të formacioneve partizane për krimet e luftës. Pas publikimit të librit reagimin e parë e ka dhënë Spartak Braho, i cili ka akuzuar Tufën për botime të paligjshme dhe vetë Instituti është kthyer në “seksion të Ballit Kombëtar”. Tufa, sipas Brahos po “nxin” historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimitare dhe heronjtë e saj. Ndërkohë që Tufa është kundërpërgjigjur duke thënë se pikërisht Braho ka dënuar politikisht gjatë kohës së regjimit të Enver Hoxhës njerëz të pafajshëm, duke i mbyllur në çmendinë.
Në një postim në rrjetin e tij Facebook, Tufa ka shkuar edhe më tej, duke publikuar një dokument që tregon dënimin kapital të dhënë nga Spartak Braho gjatë periudhës komuniste.
I gjithë debati ka shkuar deri në padi pasi Braho ka paditur Tufën dhe e kundërta.