Gjykata Kushtetuese ka vendosur këtë të enjte rrëzimin e kërkesës së 28 deputetëve të Partisë Demokratike për shfuqizimin e VKM-së për ndërtimet pa leje. Tashmë kjo i hap rrugën e negociatave ‘të ligjshme’ mes qeverisë dhe oligarkëve, të cilët ndonëse kanë shkelur ligjin, amnistohen dhe nuk iu shembet ndërtimi, por mund të paguajnë ‘haraçin’ qeverisë dhe i lajnë duart.
Ndërkohë që shtëpiat e qytetarëve të thjeshtë që kanë derdhur djersë për të ndërtuar një banesë iu shëmbet para syve në 3 të mëngjesit dhe sikur të mos mjftojë kjo merren dhe zvarrë nga policia.
Njoftimi i plotë:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, pasi mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me nr. 6 (Nj) 2022 të Regjistrit Themeltar, me kërkues jo më pak se një e pesta e deputetëve (28 deputetë) të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “ Shfuqizimi i Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 589, datë 7.9.2022 “Për rregullat dhe procedurat për konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje për qëllim fitimi”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “c” dhe 134, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës, si dhe neneve 72 dhe vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, njëzëri,
VENDOSI:
- Rrëzimin e kërkesës.
Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.