Kryeministri Albin Kurti ka reaguar menjëherë pas rrëmbimit të policëve të Kosovës në rrethana ende të paqarta. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook Kurti thekson se dyshimet janë që policët janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, kjo sipas tij për shkak të arrestimi të kriminelit Millun Millenkoviq, Lune. Kujtojmë se ky i fundit u arrestua nga policia e kosovës, pasi akuzohet si një nga organizatorët e trazirave dhe dhunës në veri.
Gjithashtu ai shton se hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synon destabilizimin
REAGIMI:
Tre zyrtarë të policisë së Kosovës janë rrëmbyer sot në Leposaviq në vendin ku dikur kishte një rrugë ilegale të kontrabandës e që ndodhet rreth 300 metra në brendësi të territorit të shtetit tonë.
Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës.
Policia e Kosovës është treguar tejet e vetëpërmbajtur këto javët e fundit.
Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim.
Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ftojmë faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë.