Ish-Presidenti Donald Trump u paraqit të martën në gjykatën e Majamit, për t’iu komunikuar akuzat për mbajtjen e paautorizuar të dokumenteve të klasifikuara të sigurisë kombëtare në periudhën pasi la Shtëpinë e Bardhë në vitin 2021.
Ai kishte mbërritur që një ditë më parë në klubin e tij të golfit pranë Majamit.
Dalja para gjykatës shënon ngritjen zyrtare të akuzave ndaj tij, që për shkak të interesimit të lartë, u bënë publike para disa ditësh.
Autoritetet federale kishin rritur sigurinë përreth godinës dhe zyrtarët e Majamit thanë se janë të përgatitur për të parandaluar dhunën e mundshme nga mbështetësit e zotit Trump dhe kundër-protestuesit.
“Në qytetin tonë, ne sigurisht që besojmë tek Kushtetuta dhe se njerëzit duhet të kenë të drejtën të shprehen”, tha gjatë një konference për shtyp të hënën Kryetari i Bashkisë së Majamit, Francis Suarez. “Por, ne gjithashtu besojmë tek ligji dhe rendi. Dhe e dimë, dhe shpresojmë, se e nesërmja do të jetë paqësore”.
Ngritja e akuzave zyrtarisht ndaj ish-presidentit, vjen pesë ditë pasi juria e madhe federale në Majami miratoi 37 akuza penale ndaj tij, 31 prej të cilave e akuzojnë ish presidentin për “mbajtje të qëllimshme” të dokumenteve të klasifikuara të sigurisë kombëtare, në shkelje të Ligjit të Spiunazhit.
Një ndihmës i zotit Trump, Walt Nauta, gjithashtu u akuzua në lidhje me pengimin e përpjekjeve të qeverisë për të marrë dokumentet.
Zoti Trump është i pari ish-president që përballet me akuza federale. Kjo është hera e dytë brenda dy muajve që ndaj tij ngrihen akuza./VOA