Një kafkë e dekompozuar, e cila ishte e hedhur pranë një prej varrezave të qytetit të Beratit është gjendur këtë të premte.
Mësohet se kafka e dekompozuar ndodhej brenda një qesje plastike dhe ishte vendosur pranë varrezave të Burdulliasit.
Sipas informacioneve kafka është gjetur nga punëtorët e varrezave, të cilët janë tmerruar kur kanë parë atë çfarë ndodhej brenda në qese dhe kanë njoftuar menjëherë policinë e shtetit, e cila ka shkuar në terren për të shqyrtuar rastin.
Burime të brendshme policore bëjnë me dije se kafka i përkiste një gruaje por ende nuk është mësuar se kujt i përket.
Pasi është bërë kqyrja e vendit ku është gjetur, kafka e dekompozuar është transportuar pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku edhe do të kryen ekzaminimet e nevojshme që do të përcaktojnë identitetin e saj.
Po të njëjtat burime policore bëjnë me dije se kafka, përveçse ishte e dekompozuar ishte edhe e ekspozuar ndaj flakëve por nuk dihet fati i eshtrave të tjera të kësaj femre.
Gjithashtu mësohet se po punohet nëpërmjet kamerave të sigurisë të shtëpive e bizneseve përreth varrezave dhe në dalje të rrugës nacionale,për të zbuluar identitetin e shtetasit që e ka hedhur këtë qese me kafkën brenda pranë varrezave.