Koalicionin “Bashkë Fitojmë” ka dorëzuar këtë të hënë në KAS një ankimim në lidhje me zgjedhjet lokale të 14 majit 2023.
Koalicioni opozitar, i cili ka bërë akuza të shumta për manipulimin e këtyre zgjedhjeve ka kërkuar që të ribëhet procesi i numërimit në të gjithë Qendrat e Votimit të bashkisë Belsh.
“Në përfundim Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve shpalli kandidatin fitues, z. Arif Tafani me një diferencë prej vetëm 40 vota. Por nga të dhënat në tabelën e rezultatit rezulton se diferenca ndërmjet kandidatëve është disa fish me e vogël se numri i votave të pavlefshme në këtë njësi i cili është 229 vota.
Jemi të bindur, bazuar në prova dhe fakte të pakundërshtueshne, se periudha para dhe zgjedhore u shoqërua me shkelje të ligjit, të cilat cënuan rëndë procesin zgjedhor në një masë të tillë që ndikoi drejtpërdrejtë në ndarjen e mandatit”, thuhet në ankimim.
Ndërkohë ankimim në KAS ka bërë edhe Lefter Maliqi, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Kuçovën, i cili ka kërkuar rinumërim në Qendrat e Votimit në këtë bashki.
“Kam siguruar prova dhe fakte të mjaftueshme lidhur me problematika dhe parregullsi të procesit zgjedhor në QV në këtë bashki.
Me anë të këtij ankimimi kundërshtoj jo vetëm rezultatin e zgjedhje por procesin e votimit”, thuhet në ankimim.