GJKKO vendosi këtë të hënë që të lërë në burg Fredi Belerin, kryetarin e zgjedhur të Himarës, i cili akuzohet për shitblerje votash. Gazetari Artan Hoxha ka zbuluar për Neës 24 disa detaje interesante nga dosja e Belerit. Sipas Hoxhës Berleri në momentin e arrestimit ka pasur 2 telefona dhe janë këto telefona që kanë shtyrë diplomatët grekë të vizitojnë Belerin në qeli. Hoxha i ka konsideruar këto telefona si thesare pasi sipas tij nëse këto pajisje do kontrollohen do kemi një çështje që ka të bëjë me sigurinë kombëtare.
Sakaq, ai tregoi atë që do ndodhë me mandatin e Belerit si kryebashkiak i Himarës, duke thënë se ai nuk e ka bërë betimin dhe mund të ndodhë që Këshilli i Ministrave të kërkojë zgjedhje të reja në këtë bashki.
“Është kapur me presh në duar. Fredi Belerit i janë kapur 2 celularë dhe një nga motivet pse diplomatët grekë e kanë kontaktuar në qeli janë telefonat e tij. Nëse telefonat e Belerit hapen do kemi një çështjes që ka të bëjë me sigurinë kombëtare. Nuk ka të bëjë me Belerin si shtetas por me personazhin sepse përfaqëson interesa anti-shqiptare. Ky del me simbolin e një çështjeje që kërkon të copëzojë vendin.
Beleri ka qenë në vëzhgim dhe janë bërë përpjekje për ta kapur. Në fushatë kanë qenë dhe shërbimet greke në mbështetje të Belerit. Aty është blerë me 50 mijë lekë vota dhe 300 mijë sekserit. Ka prova që është kapur. Kjo gjë është dokumentuar. Nëse hapen celularët e Belerit aty ka thesare.
Sot Beleri nuk e ka marrë mandatin, thjesht ka fituar zgjedhjet. Një rast i ngjashëm ka qenë në Shkodër ku fitoi kandidati i PS dhe u rrëzua dhe nuk bëri betimin. Nëse Beleri nuk bën betimin, Këshilli i Ministrave ia heq mandatin dhe kërkon zgjedhje të reja në Himarë. E njëjta gjë u bë me Lefter Allën një muaj më parë. Ka ndodhur disa herë, por hetimi duhet të shkojë deri në fund. Pala greke është e interesuar që celularët e Belerit të mos hapen”, u shpreh ai.