GJKKO ka vendosur të dënojë me 11 vite burg Artur Ballën dhe 10 vite burg Bledar Lilon, përkatësisht kunatin dhe ish-truprojën e Rezart Taçit. Mbi dy të dënuarit rëndojnë akuzat për pastrim parash, grup kriminal si dhe konfiskimin e shumës prej 18 399 941 eurosh.
Njoftimi:
Hetimet për zbulimin e skemës financiare të pastrimit të parave janë kryer nga SPAK, në bashkëpunim me autoritetet italiane.
Dyshohet se personat e sipërpërmendur, kanë bashkëpunuar me dy italianë, Francesco Zummo e Fabio Petruzzella, si edhe 1 zviceran në skemën e pastrimit të parave.
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtarë të palëve, vlerësoi në tërësi provat e administruara gjatë gjykimit në raport me parashikimet e ligjit procedural dhe material penal, Gjykata, bazuar në nenet 190, 379, 380, 389, 380 të Kodit të Procedurës Penale dhe neneve 1/c, 28/4, 47-50, 55, 287, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal,
VENDOSI:
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Artur Sadedin Balla për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 287, pg 1, shkronjat a), b), dh), në lidhje me nenet 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 11 (njëmbëdhjetë) vite burgim.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Artur Sadedin Balla, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, pg 2 i Kodit Penal dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.
- Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehur Artur Sadedin Balla dënohet me një dënim të vetëm prej 11 (njëmbëdhjetë) vite burgim.
- Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Artur Sadedin Balla i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 7 (shtatë) vite e 4 (katër) muaj burgim.
- Llogaritja e dënimit fillon nga data e arrestimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Artur Sadedin Balla do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë, në referim të parashikimeve të nenit 16, pika 1, shkronja a) të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Bledar Bardhyl Lilo për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 287, pg 1, shkronjat a), b), dh) në lidhje me nenet 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 10 (dhjetë) vite burgim.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Bledar Bardhyl Lilo, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, pg 2 i Kodit Penal dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.
- Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehura Bledar Bardhyl Lilo dënohet me një dënim të vetëm prej 10 (dhjetë) vite burgim.
- Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Bledar Bardhyl Lilo i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 6 ( gjashtë) vite e 8 (tetë) muaj burgim.
- Llogaritja e dënimit fillon nga data e arrestimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Bledar Bardhyl Lilo do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë, në referim të parashikimeve të nenit 16, pika 1, shkronja a) të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.
- Bazuar në nenin 190 pg 1, shkronjat a) dhe ç) të K.Pr.Penale dhe nenit 36, shkronja b) të Kodit Penal, lidhur me provat materiale të sekuestruara në kuadër të këtij procedimi disponohet si më poshtë:
11.1 Shuma monetare e sekuestruar prej 18,399,941.50 (tetëmbëdhjetë milion e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e nëntëqind e dyzet e një pikë pesëdhjetë) euro, ndodhur në llogarinë bankare me nr. AL969021128502810301775553537, llogari bankare ne emër të shtetasit Francesco Zummo pranë Alpha Bank sh.a, konfiskohet dhe kalon në favor të shtetit.
11.2 Sendet e sekuestruara (i) aparat telefoni i markës Iphone 11 pro max sekuestruar të pandehurit Artur Balla dhe (ii) aparat telefoni i markës Iphone 7 plus dhe aparat telefoni i markës Iphone A1897 sekuestruar të pandehurit Bledar Lilo, të qëndrojnë në fashikull për shkak të procedimit të ndarë.
- Shpenzimet procedurale të bëra gjatë hetimeve paraprake në masën 755,900 (shtatëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e nëntëqind) lekë, si dhe shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.
- Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.
U shpall në Tiranë sot më datë 25.04.2023.