Në vitin 2007, në ish-komunën Bushat, kandidati i pavarur Zef Hila fitoi zgjedhjet me 98% të votave, duke lënë dy partitë e mëdha, PD dhe PS, me më pak se 2% të votave bashkë. Hila rifitoi zgjedhjet e vitit 2011 për komunën Bushat dhe mposhti koalicionin PS+LSI në zgjedhjet e vitit 2015, kur Komuna Bushat u bë pjesë e bashkisë Vau i Dejës. Hila u tërhoq nga gara bashkë me opozitën në zgjedhjet e vitit 2019, kur kandidati socialist Mark Babani fitoi pa garë.
Në zgjedhjet e vitti 2021, Hila u zgjodh deputet për Partinë Demokratike dhe mori gati 6 mijë vota preferenciale. Në zgjedhjet e 14 majit 2023, Zef Hila do të garojë në favor të koalicionit “Bashkë Fitojmë” , pasi hoqi dorë nga mandati i deputetit për t’u rikthyer në postin e kryebashkiakut. Kësaj here ai garon përballë Kristjan Shkrelit, një zyrtar socialist nga Bushati, i cili ka punuar si punonjës shteti në agjencinë e kadastrave dhe në zyrën e legalizimit për zonën e Shkodrës.
Dhe ndërsa demokratët duket sikur e kanë kontrolluar territorin e kësaj bashkie me rezultat të thellë gjithmonë, me përjashtim të vitit 2007 kur u mposhtën nga Hila si i pavarur, fakti mbetet që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, Partia SocialDemokrate e Tom Doshit fitoi mbi 4 mijë vota në territorin e kësaj bashkie, duke u renditur në vend të dytë pas Partisë Demokratike dhe para Partisë Socialiste, e cila ra në vend të tretë. Në fakt, në zgjedhjet e vitit 2021, në nivel bashkie, Partia Socialiste dhe Partia Socialdemokrate bashkë morën një grusht votash më shumë se sa Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, të cilat përbëjnë sot praktikisht koalicionin opozitar.
Partia Socialdemokrate aktualisht e drejtuar nga Tom Doshi funksionoi si një makineri elektorale në zgjedhjet e vitit 2021, duke fituar dy mandate deputetësh në Shkodër dhe një në Tiranë dhe duke shpallur mbështetjen e palëkundur për Partinë Socialiste të Edi Ramës menjëherë pas zgjedhjeve. Në garën elektorale të 14 majit, duket se kandidati socialist Kristjan Shkreli ka siguruar edhe mbështetjen e PSD-së së Tom Doshit, pasi është shfaqur në disa takime elektorale përkrah këtij të fundit.
Bashkia e Vaut të Dejës shtrihet përgjatë luginës së poshtme të lumit Drin dhe është një zonë fushore shumë pjellore me bujqësi të zhvilluar. Bujqësia është e përqenduar te prodhimi i zarzavateve për tregun vendës dhe për eksport.
Qyteti i Vaut të Dejës u ndërtua si pjesë e projektit të hidrocentralit me të njëjtin emër mbi lumin Drin, një nga hidrocentralet më të mëdhenj të vendit. Bashkia përbëhet nga qyteti i Vaut të Dejës dhe ish-komunat Bushat, Vig-Mnele, Hajmel, Temal dhe Shllak. Bushati është njësia administrative me më shumë popullsi ndërsa bashkia përfshin edhe ish-komunat Temal dhe Shllak, të cilat gjenden në anën tjetër të Liqenit të Vaut të Dejës dhe të Liqenit të Komanit.
Përveç bujqësisë dhe industrisë elektroenergjetike, zona ka potencial për zhvillimin e turizmit të natyrës. Administrata e bashkisë ka aktualisht rreth 300 të punësuar. /BIRN