Nga Agron Gjekmarkaj:
Kronikë e shyqyrit për shëndetin e Babos !!
Babos i urojmë shëndet të plotë dhe në këtë urim e gjithë opozita është e bashkuar nga Doktori te qerratai Kujtim Gjuzi, nga Kryezevendes Lideri Muli tek simboli i rezistencës antikomuniste Bana.
Ilir Meta kishte ndonjë hezitim po më pas tek shpirti i tij prej bektashiu të kulluar triumfoi mirësia e bekimin dha. E solli Braimllari duke rendur si maratonomak dhe lëshoi myzhdenë paçka se dihatej ca nga shëndeti i tepërt. Ne vulëhumburit nga frika mos na e rrëmbejnë atë qafireshë vulë nuk e vulosëm dot një urim ngaqë mendojmë se ata të tre janë bashkë dhe urimi për Babon i shkonte edhe Doktorit edhe Metës.
Sapo lajmi mori dhenë që Babo ka sëkëlldi u mërzita qamet se spitali nuk i urohet as hasmit e jo më Babos që na e mbush jetën me bereqet e qyfyre që më kënaqin shpirtin.
Mu duk sikur dikush nga inati po me sharronte kolonën kryesore ku mbahet “Kronika”. Në vetmi me zu vaji që ku e ku më i ndjerë se i ministrusheve do ketë qenë me lutjen “Krisht shëroje sa më shpejt Babon”.
Dje në Iftar u pa që Babo e kishte hedhur tutje lëngatën si të qe ajo një rraqe që meriton shkelmim.
Ky është një motiv i madh gëzimi për besimtarët se Babo me mjekër dukej si Anthony Quinn që luan rrolin e Profetit në qendër të sallës.
Ai e ka thënë vete që është Lider mysliman.
Oreksi i thyer në mes si buka u ngjit. Shkrumbini që ju kishte tharë buzët u shua. Ti shihje ministreshat e ministrushët si i hanin qoftet me mish hallall të mbushej syri me ëmbëlsi. Vragat e buzëve të thara njomeshin.
Elisa atë ditë u shfaq rënkuese me një lopatë dy metra duke mbjelle peme. Ajo i rrinte si violina Paganinit në dorë. Elisa shihte se Babo vërtetë kishte triumfuar si Skenderbeu dhe hepohej në lumturi. Ulsiu me Blendin ishin dhënë pas të ngrënës dhe lugët e pilafit një pas një pa marrë frymë i shtinin në bulçi. Me kokën ulur kujdeseshin të afronin në pjatë grumbuj me mish e copa byreku. Ulsi me gjasë edhe pse haram të marrësh tinez ca qofte i futi në xhep.
E dinë ata se ç’hamë e pimë është e jona. Tigrushin sikur nuk ma zunë sytë. Ndoshta nga mërzia e trazimit të Babos s’ka mundë me dalë shpie.
Tezja së cilës ende si besohej që Babo ishte rikthyer aq shpejt kur njeriut të zakonshëm i duhen dy javë i llamburisnin sytë nga lumturia. Ajo kujdesej që kjo hare të lexohej nga të gjithë. Etila që mërzinë e ka intime e personale dukej e mermerte e kësisoj pamja fliste vetë. Krifca kur mori vesh qe Babo do te vinte në darkë e preu ke dorën e saj mishin e dashit e dha urdhër që lëkura të ruhej e mbi to të shkruheshin kujtime.
U pendova që nuk shkova nga frika se do më quanin të shitur pashë gjithë atë milet dy herë të kënaqur nga festave bashkëjetesës fetare e nga rikthimi i Babos. Ato piramida te vogla me qofte ma bënin me sy tek e fundit për aq edhe shitet njeriu i ngratë. Se ne properëndimorët për një qofte të lëme hijen më shumë se për vulën. Lypa të shihja Çyrben po nuk ma zunë sytë. Më thanë që kur mori vesh që Babo do operohet për solidaritet me një brisk rroje kishte rrjepur lekurën e barkut deri në zali.
Tao donte të priste gishtin po në fund preu vetëm thoin. Majko në ato orë pritjeje kujtonte partizanin që këndonte teksa i prisnin këmbën e plagosur me sharrë drurësh. Babo i do shumë partizanët dhe u ngjan në trimëri dhe përpiqej të harronte fjalimin e tij për Mithat Frasherin.
Toni që flet me Zotin u mjaftua me dy psalme për të sëmuret. Damo me komposto ishte parë në rrethinat e Spitalit. Jorida Tabaku i pagoi kësaj here taksën e heshtje për taksat e qeverisë. Gaz Bardhi la mjekrën t’i rritej me dy cm në shenjë dhimbjeje. Lul Basha i druajtur shëndeti i Babos do të marrë shumë vëmendje e kishte shtyrë me dy javë kthimin në krye të PD zyrtare.
Në Kuvend ato tre dite u shpallen ditët e trishtimit. Kosta i Gramozit dhe Linditës që jep edhe jetën të behet po ashtu i Babos këdo që shihte të buzëqeshur e qortonte me fjalët “mos bëfsh hajër, Babo ka kaluar në thikë e ty të bën buza gaz. Ajo buzëqeshje fikej si thëngjilli nga uji. Salianji mbet në Kavajë ndoshta që të mos i lexohet marazi. Nejse fjalët e tepërta i merr era. Babo u rikthye si shelegu pas një gjumi të thellë në lendinë dhe shyqyri që duket nuk do kallauz. Të shkuara Babo e mos na bëj më proçka të tilla.