Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë po heton nëse Agjencia e Luftës Kundër Drogës, DEA, nën drejtimin e Anne Milgramit, ka nënshkruar kontrata me vlerë prej miliona dollarësh në shkelje të rregullave dhe pa konkurrentë, me qëllim punësimin e bashkëpunëtorëve të saj të mëparshëm. Informacioni i është dhënë agjencisë së lajmeve “Associated Press” nga persona që kanë dijeni mbi këtë hetim të gjerë.
Ku përqendrohen hetimet?
Zyra e Inspektorit po kryen një kontroll për 4.7 milionë dollarët e shpenzuar nga DEA për “planifikimin dhe komunikimin strategjik”, me dyshime se synohej punësimi i njerëzve që zonja Milgram i njihte nga koha kur ishte Prokurore e Përgjithshme e Nju Xhersit dhe profesoreshë e drejtësisë në Universitetin e Nju Jorkut.
Disa nga personat e kontraktuar janë pjesë e rrethit të ngushtë të zonjës Milgram, përgjegjës për analizën e të dhënave, kontaktet me komunitetin dhe marrëdhëniet me publikun dhe paguhen shumë më tepër se zyrtarët qeveritarë.
Gjithashtu, hetuesit po përqëndrohen dhe në një kontratë me vlerë 1,4 milionë dollarë, e cila i është dhënë një kompanie ligjore në Uashington, për të shqyrtuar operacionet e DEA-s amerikane në vendet e huaja, të pllakosura nga skandalet, një raport që është kritikuar gjerësisht mbasi nuk ka analizuar në detaje shkeljet nga agjentë të saj.
Ky Raport tejet i vonuar kishte bashkëautor Boyd Johnson, ish-krahu i djathtë i ish-prokurorit të Manhatanit, Preet Bharara, një prej miqve të ngushtë të zonjës Miligram. Vetë zoti Bharara hyri në firmën e quajtur WilmerHale gjatë kohës kur po bëhej shqyrtimi i kontratës së lartpërmendur.
Nëse në fund të hetimeve do të rezultojë se ka patur shkelje, Inspektori i Përgjithshëm mund të rekomandojë çdo masë, nga sanksionet administrative deri tek ndjekja penale.
ÇFARË THOTË DEA?
DEA nuk pranoi kërkesën për një intervistë me zonjën Milgram dhe nuk dha shpjegime specifike lidhur me hetimin. Ky hetim po kryhet pas disa skandaleve dhe shkeljeve nga agjentë të DEA-s dhe krizës së fentanilit. Më shumë se 100,000 njerëz humbën jetën nga mbidoza me fentanil në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar.
Në vend të intervistës, kjo Agjenci lëshoi një deklaratë:
“DEA ka vepruar me urgjencë për të shpalosur një vizion të ri për të vënë para përgjegjësisë rrjetet globale kriminale që kanë shkaktuar vdekjen e mijëra amerikanëve, për të rritur ndërgjegjësimin e publikut se si qoftë dhe vetëm një pilulë mund të vrasë, si dhe për të promovuar dhe punësuar qindra njerëz shumë të talentuar”, thuhet në deklaratë.
“Këto ndryshime janë bërë përmes një procesi të gjerë, gjithëpërfshirës dhe ne jemi të përkushtuar të garantojmë që DEA po punon intensivisht për të mbrojtur sigurinë kombëtare, sigurinë dhe shëndetin e popullit amerikan.”
CILA ËSHTË ANNE MILGRAM?
52-vjeçarja Anne Milgram, një ish-prokurore federale, Prokurore e Përgjithshme e Nju Xhersit dhe profesoreshë e drejtësisë, është emëruar nga Presidenti Biden dhe e mori detyrën në krye të DEA-s gati dy vjet më parë, me premtimin për të larguar nga ky institucion punonjësit që kishin kryer shkelje ligjore.
Mirëpo administratorja shkaktoi zemërim, pasi shkarkoi disa zyrtarë me një karrierë të gjatë në DEA, të cilët ajo i shihte si pjesë të një kulture që krijonte terren për shkelje ligjore. Në vend të tyre, ajo parapëlqeu t’i besojë këshillave të juristëve dhe staticienëve që punojnë me të në një pjesë të izoluar të selisë së DEA-s.
Zonja Milgram është angazhuar për një tolerancë zero ndaj sjelljeve të pahijshme seksuale dhe racizmit në radhët e DEA-s, duke paralajmëruar agjentët se tani mund të pushohen nga puna edhe për shkelje që i bëjnë për herë të parë, gjë që nuk është bërë nën drejtimin e udhëheqësve të mëparshëm të agjencisë./VOA