E djeshmja nuk qe si të tjerat ditë. Vetëm Bela rrezatonte ngjyra. Në lëshimin e ngadoshem ajo mbahej. Në rënien e përgjithshme nga zvogëlimi i rrogave të deputetëve ajo ngrihej.
Edhe pse zbriste nga malet e Dibrës nuk e kishte humbur energjinë. As pluhuri i ngritur nga troku i kalit nuk ja kishte mbuluar elegancën.
Edona Bilali i fërkoi pak supet që të shkrythej më lehtë. Niko përsëri i çoi një kafe dhe priti derisa të mbaronte për të marrë filxhanin.
Duke e ndjerë thellë dhimbjen time të shkaktuar nga mëria e Teta Gertës mu gjend pranë. Me qortoi pak pse e kisha ngatërruar Oltën me këtë mesele se ajo rri me Blinkenin merret me diplomaci shtetesh dhe jo me cicmice të vogla duke më thënë që padija nuk është argument.
Me aftësinë për ta kuptuar autokritikën dhe ndjesinë e fajit mori përsipër pajtimin e madh me kusht që unë te hiqja dorë nga nominativi “Teta” që në fakt nuk është i imi por i Borës.
I shpjegova që respekti për të vërtetat e Borës me kishte shtyrë në përdorimin e tij se Gerta dukej si filiz e aspak “Teta”.
Më vonë mora vesh që mes Borës dhe Gertës ishte zhvilluar një dialog intensiv. Bora pothuaj e shushatur i shpjegonte “se kisha menduar kurrë që ai i ligu, i paudhi, dashurinë time për ty ta keqpërdorte kështu, mua më vjen zor të të drejtohem me emër se Babo ka thënë qe ne jemi parti e brezave, Gjyshi, Babo, Bija, ndaj duhet te kemi edhe Teta edhe Xhaxhi kësisoj të thërrisja Teta”. Ndërsa Gerta i ishte përgjigjur, “e çmoj shumë devocionin tënd po nuk është nevoja tani e më pas me thirr vetëm Gerta që ti heqim çdo shkak përgojuesit”.
Bora: “Po kujt ti drejtohem me Teta, Mimisë, Ermos, Antonetes? …dhe me xhaxhi, Pandit, Nasipit, Xhemalit, Ulsiut? Shih e fol i tha ajo. Mirë Gerta u pergjigj Bora dhe një lotëz i rrëshqiti nëpër faqet e zbehta e prekur nga kjo barazi.
Mendoja që ndjeshmëria me kishte braktisur me kalimin e viteve por kur mu rrëfye kjo u preka dhe vendosa ta respektoj këtë kthesë emocionuese.
Ndonëse për forcë zakoni mazhoranca dhe opozita flisnin mendjen të gjithë e kishin tek gjëma që na ra nga pullazi. Me dukej vetja fajtor me shkrimet pesimiste që kisha bërë dy ditë rresht.
Fillova të mbjell optimizëm me vargjet “Babos dy gisht kartë i nisim/këtë punë ta bitisim/Babua të shohë dhe të vetët/ Të na nderojë deputetet/ nuk i prish punë miletit statusi i deputetit”.
U thashë ja do ta shihni, Babo do verë dorën në zemrën e tij të madhe e do të na ëmbëlsojë jetën. Nuk e bën ai që nga 60% e rrogës së Bakes të na e ulë në 36 %. Do të na vërë në provë sa durim kemi, kush llap më shumë, kush zaliset i pari, cili llafin e keq lëshon dhe pastaj që të ndihemi fajtorë e më ndërgjegje si brazdë të pa lëruar do na e bëjë 70% të rrogës së Presidentit. Babo është i mirë, Babo është i dlirë tha me emocion Eni Zake.
Teksa këto ndodhnin Tezja kur me kalonte pranë shtrembëronte fytyrën, lëshonte pasthirrma padurimi e përçmimi dhe qortonte deputetet socialistë që më ngjatonin me përzëmërsi tek gajret shpërndaja.
Tezja që dikur ka qenë vete liberalizma dhe marifeti tani është bërë më socialiste se Petrua dhe Pandi që ngjajnë si axhaminj para saj në ideologjinë e mëngjërt.
Në këtë vorbull me gjet ai që me një fjali kujdeset të mërzisë nja 10 veta, te helmojë 7 të tjerë, ti fryjë sherrit e zallamahisë, poteres e zjarrmisë vetë Salianji.
E pe dërgatën e Vulës tha në takim me Eskobarin? Jo vallahi me ka rreshqitur në detaje po vetëm një resme ku i priste Enkeledi. Joo more i uruar tha ishin katër po nuk i shfaqi partia ata të tjerët.
Qerratenjët, tha ja se moren Joriden dhe as ty si Nën Kryetar Kuvendi!!
Po unë jam mbi palët more i uruar i thashë e shoh nga lart e nga anash Foltoren dhe Vulën po Jorin e ngratë si nënkryetare partie ta merrnin se helbete flet ëmbel anglisht, buzqesh qashter e pafajshem dhe mbulon marrëdhëniet ndërkombëtare.
Si zog dreqit erdhi la një grusht miza aty dhe po ashtu si shejtan iku të hidhte vajguri mbi zjarret e ndezur gjetkë. Ferdinand Xhaferri e ndiqte pa keqardhje gjithësa e me gëzim të përmbajtur se me gjasë mendonte të njëjtat gjëra por nuk donte të prishte gojën. Ngrohte duart që nuk pat nevojë ti lante si Pilati.
Gaz Bardhi mes dilemash të mëdha në duhet të vejë një kurore me lule në vendin ku ulej Basha me mbishkrimin “i përjetshëm qoftë kujtimi i tij politik” apo ti gatisë udhën e kthimit nuk ndihej rehat mbi asnjë karrige. Borxh i ka ti rrijë besnik.
Për ardhjen e Xhelës me lajmëroi miku Isuf çela. Qe si myzhde ai lajm. Por Xhela dukej i pikëlluar. Me Ed Palokën në një qoshe nuk është cudi që levdonin trimeritë e Kryezevendes Liderit Muli, sakrificat e Albanës gjatë “operazioni të Dimrit”. Shpesh biseda u ndërpritej dhe shikimet perhumbeshin në ujdhesat e heshtjes.
Kosta kishte humbur gjallërinë dje. Nuk u besonte veshëve kur i thoja është vetëm harrese, lajthitje që e quaja vetëm “Kosta i Gramozit” pa shtuar edhe Linditën e Babon. Di ndonjë gjë e nuk ma thua dridhej si purtekë gjithë ai burrë që në mëngjes me kërkoi ti shërbeja kafenë. Kur i bëra be në Krisht ju kthye buzëqeshja si ylber sikur të kishte takuar vetë Etilden si tjetër herë.
Në një moment i harruam të gjitha. Na mungonte Frida Krifca. Ajo e sheh që Babo nuk vjen dhe se begenis më parlamentin e zënë me ciklin e ri të leksioneve në Akademinë e Barinjve. Elisa mbet e vetmuar në podium dhe askush nuk ja zinte diellin. Herën tjeter do flasim shtruar e ndershmërisht për ndryshimet që Babo do të bëje në qeveri me emra.