Këtë të hënë pritej të hidhej shorteu mbi renditjen e kandidatëve në fletën e votimit në 14 maj, por që u shty për shkak të ankimimeve nga subjektet për dekriminalizimin. Ndërkohë në mledhjen e sotme kryetari i Komisionit Zgjedhor, Ilirian Celibashi, u pyet në lidhje me vendimet e fundit të qeverisë për rritjen e rrogave dhe pensioneve në prag të fushatës nëse përbëjnë apo jo shkelje të kodit zgjedhor.
“Nuk mund të them gjë në këtë moment, por me rendësi është partitë të marrin financimet që kërkojnë për fushatën, mënyra e shpenzimit është çështje e ligjit dhe ka parashikime që duhet të zbatohen. Kur të jetë rasti për ta vlerësuar rastin për shpenzimin e këtyre parave, do të kemi një njoftim”, tha Celibashi për vendimin e PS, që një pjesë të buxhetit ta çojë për gjelbërimin e qyteteve.
Ndërkohë për vendimin për rritje pagash dhe bonus për pensionistët, pak para zgjedhjeve, ai tha: “Nuk kam çfarë t’i shtoj qëndrimit që kam mbajtur më parë lidhur me këtë çështje. Secili mund të ketë komentet e veta në pikëvështrime të ndryshme të këtyre akteve, por ajo çfarë në cilësinë e komisionerit do duhet të vlerësoj, është përputhshmëria në raport me kodin zgjedhor, dhe kemi vlerësuar që ato parashikime ndaluese janë për zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë. Unë e kam një opinion, por as nuk do zgjidhte dhe as do ndihmonte, dhe ju jeni më të zotë se unë për ta bërë kështu që ndjehuni lirshëm për ta bërë”, tha ai.