Pronari i Agon Channel, Fracesco Becchetti fitoi përfundimisht gjyqin me shtetin shqiptar dhe pasi u provua që mbyllja e medias Agon është bërë për motive politike. Por problemi qëndron se këto para nuk i paguan as kryeministri Rama, as kabineti qeveritar dhe as prokurorët dhe gjykatësit, por do ta paguajnë taksat e shqiptarëve. 110 milion euro i detyrohet Shqipëria Becchettit, plus shpenzimet e gjyqit. Gazetari Klodian Tomorri ka bërë të ditur këtë të enjte një fakt të ri në lidhje me mënyrën si do të paguhet biznesmeni italian. Tomorri shprehet se Francesco Becchetti po mban të bllokuara në Bruksel 90 milionë euro të Albcontrol-it. Gazetari tha se Albcontrol nuk mund t’i përdorë paratë e bllokuara, dhe u zhyt në krizë, çka detyroi qeverinë që t’i japë 20 milionë dollarë për vazhdimin e aktivitetit.
Pas vendimit të formës së prerë që u dha në prill 2019, ka pasur dy tentativa të qeverisë për ta përmbysur. E para ishte rihapja e procesit për anulimin e vendimit. Tentativa e dytë ishte që u hap procesi për rishikimin e vendimit. I pari ishte për anulimin fare të gjobës, i dyti për rishikimin e vendimit, për rishikim të shifrës. Ky proces që përfundoi në 29 mars ishte për rishikimin e gjobës, ku gjykata ka lënë në fuqi gjobën 110 milionë euro plus interesat, sepse rritet nga muaji në muaj që nuk paguhet. Arbitrazhi ka përfunduar, vendimi është i formës së prerë. Tani beteja zhvendoset te ekzekutimi i vendimit. Biznesmeni italian kërkon që gjobën të ekzekutojë. Ka një proces në Gjykatën e Apelit në Bruksel, sepse pasi fitoi në Arbitrazh, Becchetti shkoi në një gjykatë dhe kërkoi ekzekutimin e vendimit. Ekzekutimi s’ka marrë formë të prerë pasi çështja ka shkuar në Apel.
Becchetti ka bllokuar paratë e Albcontrol-it në Eurocontrol, paratë që paguajnë kompanitë ajrore për hapësirën ajrore të Shqipërisë. Çdo avion paguan një tarifë të caktuar. Paratë paguhen nga linjat në Eurocontrol dhe Eurocontrol-i ia shpërndan Albcontrolit në rastin e Shqipërisë. Deri më tani qeveria ka qenë hermetike. Informacionet e fundit thonë që paratë e Albcontrolit që janë bllokuar kanë arritur në 90 milionë euro. Albcontrol s’mund t’i marrë dhe t’i përdorë për nevojat e veta. U zhyt në krizë sepse nuk përdorte dot këto para, qeveria u detyrua t’i japë gati 20 milionë dollarë para nga buxheti që kompania të vazhdonte aktivitetin e saj.Sipas informacioneve të fundit, që s’janë konfirmuar zyrtarisht sepse qeveria ka qenë hermetike, sot Becchetti mban të bllokuara 90 milionë euro para të qytetarëve shqiptarë dhe Albcontrolin, në Bruksel, dhe pret vendimin e Apelit për t’i ekzekutuar ato. Nëse Gjykata e Apelit në Bruksel lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, ekzekutimi është automatik, dhe nuk shoh se si qeveria mund ta ndalojë. Që nga janari 2020, çdo e ardhur që fiton Shqipëria nga hapësira ajrore mbetet e bllokuar nga Eurocontrol për llogari të Becchetti-t. Nëse Apeli lë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, 90 milionë euro konfiskohen, nëse sot janë të bllokuara. Se çfarë strategjie ka kryeministri ne nuk e dimë, por qeveria ka humbur në të gjitha shkallët.
Tomorri tha se pohimet e Engjëll Agaçit që i kërkoi Becchett-it ndryshim të linjës editoriale, si dhe deklaratat e Ramës dhe Veliajt, kanë ndikuar për t’i dhënë goditjen e fundit Shqipërisë në këtë proces.
Jemi përpara një dëmi, nëse ai vendim do ekzekutohet. Duhet të ketë një përgjegjës sepse dikush e shkaktoi. Në vendimin e gjyqit ka të zbardhura episode që tregojnë arrogancë dhe arbitraritet zyrtarëve, të funksionarëve të lartë publik të shtetit shqiptar. Është dreka e famshme e Engjëll Agaçit, sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë me Becchetti-n në një restorant të Tiranës, ku ky i thotë: Ndrysho linjën editoriale sepse s’të intereson ta kesh keq me qeverinë! Ajo është një nga pikat kryesore pse gjykata ka vendosur në favor të biznesmenit italian. Pastaj janë edhe deklarimet publike të kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. Këto tre kolona i dhanë goditjen përfundimtare Shqipërisë në këtë proces”. /MCNTV