Ish kryeministri Sali Berisha ka prezantuar sot kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Dibër Ismail Uka.
Berisha tha se më 14 maj do të vendosin pluralzimin në vend. Ai tha se Uka është kandidati i lirisë, i zgjedhur nga vetë demokratët.
Berisha, deklaroi nga Dibra se në pushtet është një sekt që vjedh në mënyrën më abuzive të mundshme.
“Zgjedhjet me 14 maj janë zgjedhje për rivendosjen e pluralizmit, në të cilat ne demokratët, sollëm në Shqipëri pluralizmin, por në vitin 2019, ne u bëmë bashkëautorë në rrënimin e pluralizmit, bojkotuam zgjedhjet lokale në një gabim historik, në një gabim të pafalshëm. Ndaj na duhet të punojmë dyfish, na duhet të punojmë ditë e natë.
Më 14 maj kemi një shans të madh të jetës sonë, të ndahemi nga një grup hajdutësh, nga një organizatë kriminale që përdor paratë tuaja në mënyrën më abuzive, që vetëm vjedh. Ky sistem sot është sistemi i vjedhjes universale të qytetarëve në çdo gjë.
Çdo qytetar sot merr 30 përqind më pak se në vitin 2013. Nga vjet deri sivjet, statistikat tregojnë se çmimet e ushqimeve janë rritur me 12 përqind brenda një viti. Pra, rrogat sot, pensionet sot janë më të ulëtat në Ballkan, 30 deri në 40 përqind më të ulëta se në Kosovë.
U desh të vijnë zgjedhjet, që të fillojë lojën cinike Edi Rama, njeri pa ndjenja se do bëj rrogën mesatare 900 euro dhe do u japë 5 mijë lekë pensionistëve. Pensionistëve duhet t’u dyfishosh pensionin. Albin Kurti ua rriti pensionet me 100 euro në muaj vetëm për shkak të rritjes së çmimeve. Rrogëtarëve ua rriti të gjithëve, studentëve u dha nga 120 euro.
Kurse ky, pasi u rritën çmimet, u krijuan 520 milionë euro më shumë, ia ktheu vetes me klientelën e tij. Ia dha klientelës për rrugë. Vjedhin sepse ndërtojnë rrugën me 24 milionë euro, në një kohë kur ajo në gjithë Europën ndërtohet me 2 deri në 3 milionë euro. Vjedhin sepse ndërtojnë shkollën me 6 milionë euro, në një kohë kur shkolla në Berlin, Paris dhe kudo, ndërtohet me 700 mijë euro.
Vjedhin sepse deklaron sikur shqiptarët të jenë njerëz primitivë, u thotë se ka mbjellë 1 milion pemë në Tiranë. 1 milion pemë janë një pyll 600 hektarë minimumi, po në kushte minimale 900 hektarë.
Ua thotë sepse vjedh me fidane, sepse faturon 1 milion fidane, këta nuk kanë asnjë skrupull. Sepse 61 përqind të fondit të të ardhurave i paguajnë rroga për militantët,” tha Berisha.
“Çdo socialist duhet të bashkohet sot me ne, sepse pluralizmi është jetik për liritë tona. Duhet të bashkohen me ne, se kjo vjedhje që u bëhet shqiptarëve, nuk i bëhet asnjë kombi në botë.
Ai del e thotë se mbolla 1 milionë pemë. Harron se edhe një fëmijë i klasës së tretë mund të bëjë llogaritjet që ka vjedhur 600 hektarë. Nuk kanë cipë, nuk kanë asgjë.
Nisën Rrugën e Arbrit? Ku është? E lamë gati me financim e çdo gjë. Por këta ndoqën projektin e vjetër. Në projektin e vjetër, tuneli i Murrizit nuk mund të shpohej aty.
Ndaj ju ftoj të bashkohemi më 14 maj se janë zgjedhjet e jetës sonë. Kurrë vota jonë, vullneti ynë nuk ka pasur një vlerë më të madhe, një peshë më të madhe,” tha Berisha.